Zyba: Pas 9 shkurtit konfiskimi i pajustifikuar i pasurisë dhe vetingu i justifikuar i drejtësisë!
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka rihapë debatin rreth rastit të ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, i cili u detyrua të largohet nga vendi në vitin 2018 për shkak të presionit të ushtruar ndaj tij pas hetimeve për “listat e veteranëve të rrejshëm”.
Zyba në një postim në rrjetet sociale ka kritikuar ashpër mungesën e progresit në këtë çështje, duke theksuar se gjashtë vjet pas largimit të Blakajt, ende nuk ka pasur asnjë hetim serioz për të zbuluar dhe ndëshkuar ata që i kanë penguar hetimet e tij.
“Ftesa për ata mungon sepse mungojnë prokurorët që e hetojnë krimin. Këta që ja dërguan ftesën Kryeministrit, duan largimin tonë e rikthimin e tyre”, ka shkruar Zyba, duke aluduar në një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga çështje të rëndësishme siç është korrupsioni.
Sipas Zybës, fakti që Blakaj nuk arriti të thirrë dëshmitarët për shkak të presionit të ushtruar ndaj tij, tregon qartë se në Kosovë ka pasur dhe ka ende një rrjet të fuqishëm korrupsioni që pengon zbatimin e ligjit dhe dënimin e fajtorëve.
Deputeti i LVV-së ka theksuar se pas 9 shkurtit, me konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe vetingun në drejtësi, do të ketë një luftë më të vendosur kundër korrupsionit.
“Por pas 09 shkurtit shkojnë së bashku: konfiskimi i pajustifikuar i pasurisë dhe vetingu i justifikuar i drejtësisë”, ka shtuar ai.