04.09.2019, 11:42

Zjarrfikësit e Suharekës i dalin në ndihmë atyre të Gjakovës për shuarjen e zjarreve në malet në kufi me Shqipërinë

As pas një jave, zjarrfikësit nuk ia kanë dalë që t’i shuajnë zjarret që kanë përfshirë Bjeshkët e Rekës së Keqe, që gjenden në afërsi të kufirit Kosovë-Shqipëri. Zjarrfikësit në këtë komunë deklarojnë se krahasuar me ditët e kaluara, gjendja është përmirësuar. Por, thonë se Ponoshefci dhe Qafa e Morinës vazhdojnë të jenë në flakë. Për gjendjen e krijuar atje, dje ka reaguar edhe kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

Ka shtatë ditë që malet në kufirin Kosovë-Shqipëri janë në flakë. Por, pavarësisht përpjekjeve, zjarrfikësit nuk po arrijnë që t’i shuajnë.

Terreni i papërshtatshëm dhe era e fortë po i pengon ata që t’i afrohen vatrës së zjarrit.

Komandanti i Zjarrfikësve të Gjakovës, Xhavit Gashi ka thënë se krahasuar me ditët e kaluara, gjendja po shkon duke u përmirësuar.

Zjarrfikësve të kësaj komune i kanë dalur në ndihmë edhe zjarrëfikësit e Komunës së Suharekës, ku Gashi u është mirënjohës për këtë ndihmë.

Deklaron se gjendja nuk është e mire në Ponoshefc dhe në pikën kufitare në Qafë të Morinës, derisa thotë se fshatrat e tjera i kanë nën kontroll.

“Përmasat janë shumë më të vogla. Nën kontroll e kemi fshatin Qerret , fshati Babaj i Bogës në Bjeshkët e Qerretit, Shishmanin e kemi në kontroll, Popocin e kemi nën kontroll. Ndërkohë, në fshatin Pononshec dhe në pikën kufitare në Qafë të Morinës nuk e kemi situatën edhe aq mirë. Por, në përgjithësi krahasuar me ditët e tjera, situata është shumë më e mirë”, tregon Gashi.

LEXO EDHE:  Suharekë: Sekuestrohet një armë, dy karikatorë dhe tetë fishekë

E pavarësisht se zjarret ende nuk janë shuar dhe se në dy fshatra gjendja nuk është e mirë, komandanti i zjarrfikësve thotë se banorët dhe shtëpitë nuk janë të rrezikuar.

Deklaron se nëse përkeqësohet gjendja, do të ndërhyjë edhe ushtria.

“Banorët të mos e ndjejnë vetën të rrezikuar në asnjë mënyrë. Asnjë shtëpi e as një qytetar nuk do të lejojmë që të iu vie rreziku për jetë. Unë i kuptoj shqetësimet e tyre, por nuk ka rrezik për pasurinë e tyre e as jetën e tyre. Ushtria është e mobilizuar. Po pret në kazerma. Në çdo moment që ne me zyrtarët e AME’së e vleresojmë se po keqësohet gjendja, ushtrinë e kemi në gjendje  gatishmërie dhe ndërhyjnë”, ka thënë Gashi, për GazetaExpress.

Ai ka falënderuar edhe zjarrfikësit e komunave të tjera, pylltarët dhe banorët që iu kanë dal në ndihmë për shuarjen e këtyre zjarreve.

“Zjarrëfikësat e Gjakovës po punojnë ditë e natë që me i shu këto zjarre. Poashtu na kanë ardh në ndihmë edhe zjarrfikësat e nëntë komunave. Kemi zjarrfikësa nga Ferizaji, Suhareka, Malisheva, Rahoveci, Prizreni, Peja, Deçani dhe Juniku. Përveç zjarrfikësave, apelit tonë iu janë përgjigje edhe pylltarë të Agjencionit të Pyjeve dhe fshatarët.  Janë 55 zjarrfikësa që po marrin pjesë në aksion”, ka thënë Gashi.

Ndërkohë, rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale e Gjakovës.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.