Një nga zhvillimet më të rëndësishme është vazhdimi i masës së paraburgimit ndaj Ismet Bahtijarit, i cili së fundi ka pranuar fajësinë për pengim të drejtësisë.
Në çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Gjykatësja e Procedurës Paraprake ka miratuar pjesërisht një kërkesë të Mbrojtjes së Thaçit për zgjatje të afatit për dorëzim të mocioneve paraprake deri më 4 mars 2025. Kjo u bë pasi që Rregullorja parasheh që të akuzuarit mund të paraqesin mocione të ndryshme, siç janë kundërshtimi ndaj juridiksionit të Dhomave të Specializuara, pretendimi për mangësi në aktakuzë, ose kërkesa që një i akuzuar të gjykohet ndarazi.
Gjithashtu, është bërë e ditur se emërimi i David Young si avokat i Fadil Fazliut nuk përbën konflikt interesi, pasi ai ka qenë avokat i Rexhep Selimit, por që tashmë nuk e përfaqëson juridikisht.
Në lidhje me çështjen e Isni Kilajt, Apeli ka hedhur poshtë ankesën e tij kundër vendimit për caktimin e masës së paraburgimit.
Në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, është hedhur poshtë një kërkesë e mbrojtjes për leje për apelim të një vendimi, ndërsa është caktuar paneli i Apelit për të shqyrtuar një apelim të Veselit dhe Krasniqit. Gjatë kësaj jave, në këtë rast kanë dhënë dëshmi disa persona, përfshirë një ish-mjek të KFOR-it gjerman në Kosovë, një patolog ligjor dhe ish-anëtari i UÇK-së, Naser Krasniqi.
Së fundi, Mbrojtja e Pjetër Shalës ka dorëzuar Njoftimin për Apelim të Urdhrit për Zhdëmtim.