Lajme

Zgjedhjet i marrin “në qafë” familjet me asistencë sociale, ndëshkohen me minus një pension

Foto: Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR)

Numër i madh i qytetarëve të Republikës ishin angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit si; vëzhgues, komisioner dhe kryesues.

Në mesin e tyre kishte edhe persona që përfshiheshin në skemën sociale. Këta të fundit e pësuan keq me bashkëngjitjen e tyre në procesin zgjedhor.

Indeksonline mëson se mbi 200 familje u ndëshkuan nga shteti duke mbetur pa marrë socialin (e muajit nëntor) për shkak të përfshirjes së tyre një ditore në zgjedhje.

Kësisoj, personat që u angazhuan në zgjedhje dolën në humbje pasi mëditja që e morën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ishte më pak se 100 euro, apo më mirë të themi rreth 80 euro.

Një ndihmë sociale, shteti i Kosovës për një person e jep 60 euro, ndërsa për një familje 120 deri 180 euro.

Ky ndëshkim për këtë kategori vlen vetëm për muajin nëntor pasi me 2 janar ata do të vazhdojnë të marrin ndihmën sociale.

Vlen të theksohet se në Kosovë, në skemën sociale, janë të përfshirë rreth 45 mijë familje, prej tyre 25 mijë marrin pagë mujore.