Zgjedhjet e reja të mundshme, shkatërruese për ekonominë

Zgjedhjet e reja të mundshme, shkatërruese për ekonominë
Çlirim Gashi

04.04.2021 / Lajme

Dështimi i zgjedhjes së presidentit do të detyronte vendin që të shkonte në zgjedhje të parakohshme.

Mirëpo, nga këndvështrimi ekonomik, një palë zgjedhje të tjera pas atyre të 14 shkurtit dhe para atyre lokaleve që pritet të mbahen në vjeshtë, po konsiderohet i rrezikshëm dhe shkatërrues për Kosovën.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka deklaroi për KosovaPress se mbajtja e zgjedhjeve ka ndikim negativ, aq më tepër në kohë pandemie, ku dëmet më të mëdha sipas Zekës do të jenë sa i përket rritjes ekonomike, tërheqjes së investimeve të huaja dhe për të hyrat buxhetore.

“Në këtë aspekt mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve, shikuar edhe në aspektin historik, në vendin tonë gjithmonë ka ndikuar edhe në normën e përgjithshme të rritjes ekonomike, edhe tek tërheqja e investimeve të huaja direkte, por edhe tek të hyrat e mbledhura për buxhetin e vendit. Në një situatë hipotetike kur ne do të kishim zgjedhje më të shpeshta brenda një intervali të shkurtër kohor, besoj që ndikimi në ekonomi do të ishte shkatërrues, aq më tepër nëse kombinohet sërish me ndikimin që ka pandemia COVID-19, e që ka pasur gjatë vitit 2020”, thotë Zeka.

Kreu i OEAK deklaron se stabiliteti politik është faktor i rëndësishëm në vendimmarrjen afariste, prandaj sipas tij mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve bën që vendimet afariste të frenohen.

“Vetvetiu një pasiguri e tillë ose mungesa e stabilitetit politik apo edhe mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve bën që vendimet afariste të frenohen dhe investitorët, të brendshëm apo të jashtëm, të presin për momentin që ata e konsiderojnë të volitshëm për t’i zbatuar pastaj planet e tyre për zgjerim të investimeve apo për investime të reja”, deklaron ai.

RAPORTO