Çlirim Gashi
06.04.2019, 12:25

“Zgjedhjet brenda BE-së pengojnë liberalizimin e vizave për Kosovën”

Kosova po vazhdon të marrë rekomandime pozitive nga institucione të Bashkimit Evropian (BE) për liberalizim të vizave, por qytetarët po vazhdojnë të mos kenë të drejtë të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen. Për gati një dekadë politikanët kanë dhënë data të ndryshme të liberalizimit të vizave, mirëpo qytetarët e vendit edhe më tutje vazhdojnë të mbesin të izoluar.

Ministrja Dhurata Hoxha vlerëson që pikërisht për shkak të zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, që do të mbahen në maj të këtij viti, po shtyhet edhe heqja e vizave për Kosovën.

“Zgjedhjet për Parlamentin Evropian janë shkaku kryesor për këtë shtyrje. Pritjet tona janë që pas zgjedhjeve ne mund të kërkojmë vetëm për kohën më të shpejtë të mundshme për trajtim të liberalizimit nga ana e Këshillit të Ministrave, por jo të flasim për data. Por ne nuk mund të anashkalojmë deklarimet nga përgjegjësit e BE-së, PE-së, KE-së dhe raportuesve për Kosovën dhe rajonin”, ka thënë Hoxha, duke theksuar se liderët kosovarë nuk mund t’u thonë qytetarëve diçka tjetër nga ajo që marrim si mesazh se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara, transmeton RTK.

E para e Ministrisë së Integrimeve për “Zërin” ka theksuar po ashtu se çështja e heqjes së vizave po vazhdon të mbahet e bllokuar te Këshilli i Ministrave, teksa shpreson që shtetet e BE-së nuk do e përdorin Kosovën për të luftuar betejat e brendshme mes vete. “Po, ne jemi në rrugën e duhur, sepse ka një vit që të gjitha kushtet e parapara me udhërrëfyes janë përmbushur. Shpresoj që shtetet anëtare nuk do të lejojnë që çështja e liberalizimit të vizave të bëhet shkak i betejave të brendshme në vendet e BE-së për shkak të frymës në rritje kundër emigrimit, të prezantuara nga partitë e djathta.

Shpresoj se Këshilli i Ministrave nuk do të kalojë mbi vlerat themelore që proklamon, duke i lënduar ato dhe duke krijuar pabarazi ndaj shteteve dhe vendeve konform marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka shtuar ajo.