Zemaj paralajmëron rritje të rasteve me COVID-19 në këtë javë, masat kufizuese mbesin në fuqi

22.02.2021

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë takimit të Komitetit për vlerësimin e situatës me COVID-19, ka thënë se gjendja me pandeminë në vendin tonë është nën kontroll, por pavarësisht kësaj duhet vazhdimi i masave rigoroze. Zemaj ka shtuar se në dy javët e fundit janë raportuar 4 mijë e 122 raste pozitive, dhe […]

Zemaj paralajmëron rritje të rasteve me COVID-19 në këtë javë, masat kufizuese mbesin në fuqi Foto: Ilustrim

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë takimit të Komitetit për vlerësimin e situatës me COVID-19, ka thënë se gjendja me pandeminë në vendin tonë është nën kontroll, por pavarësisht kësaj duhet vazhdimi i masave rigoroze.

Zemaj ka shtuar se në dy javët e fundit janë raportuar 4 mijë e 122 raste pozitive, dhe 49 raste të vdekjes, ndërsa pozitiviteti është 1.18%.

Ministri ka paralajmëruar se gjatë këtyre javëve mund të ketë rritje të rasteve pozitive.

“Sipas projeksionit të institutit, deri më 21 shkurt 2021 duke marrë për bazë numrin e rasteve pozitive dhe numrin e vdekjeve, numri i të sëmurëve do të sillet 312-321 raste, mesatarja 317 raste në 100 mijë banorë, që do të paraqiste rritje prej 6.9%, 4-5 vdekje brenda ditës me ulje 19.2%”, ka thënë Zemaj.

Ai ka shtuar se bazuar në situatën epidemiologjike, duhet të vazhdohen masat rigoroze dhe kufizimi i lëvizjes dhe aktiviteteve nëpër komuna duke i klasifikuar ato sipas kategorizimit në bazë të ngjyrave.

Ndërsa, sipas kategorizimit të ri i cili është bërë të premten (19 shkurt), Komuna e Suharekës është kategorizuar në zonën e gjelbër.

Masat anti-COVID që vlejnë për Komunën e Suharekës:

30. Masat për komunat me rrezik të ulët (deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës):

30.1. Operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-22:00,

30.2. Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-22:00,

30.3. Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-22:00, ndërkaq pas orës 22:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”,

30.4. Transporti publik lejohet të punoj duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

30.5. Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose deri në tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

30.6. Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë deri në orën 22:00 duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

30.7. Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave deri ne 50 persona, gjithmonë bazuar në protokolle vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

30.8. Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

30.9. Pavarësisht pikave 35.6, 35.7 dhe 35.8 më lartë, autorizohet Ministria e Shëndetësisë që bazuar në rekomandimet e IKSHP-së të nxjerrë vendime operacionale të ndalojë këto aktivitete.