VV shkon në takim me ambasadorët e QUINT-it, nuk heqin dorë nga Kryeparlamentari

28.01.2020

Kur kanë mbetur edhe një javë deri në skadimin e afatit kushtetues për paraqitjen e kabinetit të ri qeveritar përpara Kuvendit të Kosovës nga i mandatuari për kryeministër Albin Kurti, ende nuk ka marrëveshje për koalicion nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. As në takimin e së hënës pasdite mes dy liderëve të […]

VV shkon në takim me ambasadorët e QUINT-it, nuk heqin dorë nga Kryeparlamentari Foto: Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Kur kanë mbetur edhe një javë deri në skadimin e afatit kushtetues për paraqitjen e kabinetit të ri qeveritar përpara Kuvendit të Kosovës nga i mandatuari për kryeministër Albin Kurti, ende nuk ka marrëveshje për koalicion nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

As në takimin e së hënës pasdite mes dy liderëve të kësaj partie nuk është arritur dakordimi, ndërsa sot është paralajmëruar një tjetër takim.

Palët janë pajtuar që të zhvillohet një takim bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Shpejtim Bulliqi në një prononcim për “Gazeta Blic” ka folur mbi zhvillimet e fundit rreth marrëveshjes për bashkëqeverisje , VV-LDK.

Bulliqi ka deklaruar se duhet të gjendet një mundësi tjetër brenda kabinetit qeveritar që të zgjidhet çështja e postit të Kryeparlamentarit.

Ai thekson se nuk është e shëndetshme për institucionin e Kuvendit mënyra se se LDK-ja po e kërkon këtë post.

“Qëndrimet tona tashmë janë të njohura, çështja e zgjedhjes së kryeparlamentarit ka qenë një proces demokratik edhe i rregullt, prandaj ne nuk shohim asnjë arsye që të kthehemi në pikën zero për faktin se ne jemi dëshmitarë të asaj se sa me vështirësi po krijohen institucionet e vendit. Prandaj Lëvizja Vetëvendosje po bën përpjekje maksimale që kjo marrëveshje të arrihet dhe unë mendoj shumë që ka hapësirë të mjaftueshme përbrenda kabinetit qeveritar me u kompensu  posti i Kryeparlamentarit. Nuk është shumë e shëndetshme edhe për institucionin e Kuvendit forma dhe mendësia se si Lidhja Demokratike e Kosovës po e kërkon Kryeparlamentarin dhe për një periudhë të shkurtër kohore pra 1 vjeçare ta rikthejë sërish këtë post” tha Bulliqi për Gazeta Blic.

Ndryshe ky takim me ambasadorët e QUNT-it në mes LVV-së dhe LDK-së do të fillojë nga ora 17:00 në Kuvendin e Kosovës.