Lajme

Formimi i Qeverisë VV-së i kërkohet urgjentisht ta propozojë emrin e kandidatit për kryeministër

Foto: Lëvizja Vetëvendosje (LVV)

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur marrëveshjen finale, ndonëse bisedimet mes tyre kanë nisur 3 muaj më parë.

Prej që vendi mbajti zgjedhjet më 6 tetor, VV-ja dhe LDK-ja kanë zhvilluan një sërë takimesh, të cilat përfunduan me disa pajtime mes tyre por që nuk dërguan deri tek marrëveshja përmbyllëse qeverisëse.

Shkak i këtyre bisedimeve siç duket Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon ta zvarris edhe dorëzimin e emrit të kandidatit për kryeministër tek presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili duhet ta mandatoj për formimin e qeverisë së re.

Mirëpo, analisti kosovar Naim Rashiti, ka kërkuar nga partia e Albin Kurtit, që urgjentisht ta dorëzojë emrin e kandidatit për kryeministër dhe ta formojë sa më shpejt qeverinë.

Sipas Rashitit, Vetëvendosje duhet ta propozojë emrin e kandidatit, sepse ndryshe do të bëhet sikur partitë fituese të vitit 2014 dhe 2017 me vonesat që bënin.

“Lëvizja Vetëvendosje duhet urgjentisht te dorëzoj emrin e kandidatit për kryeministër. Si fituese e zgjedhjeve nuk ka alternative, nuk ka afat te caktuar mes konstituimit te kuvendit dhe dhënies se mandatit për fituesin e zgjedhjeve. Kjo është procedure e pakontestuar. Me vonesat e saj, VV po bëhet njëjtë sikur partitë fituese të vitit 2014 dhe 2017”, ka thënë Rashiti përmes një statusi në rrjetin social Facebook.

Me tutje analisti Rashiti ka kundërshtuar edhe fuzionimin e ministrive në masë të madhe, duke u shprehur i bindur se nuk do të mund të bëjnë ristrukturimin në 12 ministri, pa ligj për Qeverinë.

“Po ashtu VV dhe LDK duhet te heqin dorë nga strukturimi dhe fuzionimi masiv të qeverisë dhe ministrive. Kjo pune ia lehtëson arritjen e marrëveshjes dhe parandalon kaosin ne institucione. Ju siguroj se nuk do te arrijnë ta bëjnë ristrukturimin në 12 ministri dhe pa ligj”, është shprehur ai.

Rashiti u ka sugjeruar dy partive fituese që ta bëjnë Qeverinë me 16 ministri, nëse duan ta formojnë qeverinë e re.

“Prandaj, VV dhe LDK nëse duan të formojnë qeveri duhet ta dorëzojnë emrin e mandatarit shpejt, dhe te pajtohen për një qeveri me 15-16 ministri: VV te marre 6 ministri, LDK të marrë 7 ministri, Serbet – 2 ministri (përndryshe nuk e përkrahin qeverinë) Minoritetet tjera- 1 ministri”, theksoi Rashiti.

Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të refuzojë ftesën e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, që t’ia dërgojë emrin e mandatarit për formimin e qeverisë.

Kjo, pasi ende nuk po mund të merren vesh me Lidhjen Demokratike të Kosovës për arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës.