VV: Posti i kryeparlamentarit nuk negociohet me LDK-në, besojmë në marrëveshje

22.01.2020

Janë bërë më shumë se 3 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku Lëvizja Vetëvendosje si partia fituese ende nuk ka arritur koalicion qeverisës me partinë e dytë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Po ashtu tashmë Vetëvendosje ka propozuar edhe mandatarin për Kryeministër të Kosovës, i cili […]

VV: Posti i kryeparlamentarit nuk negociohet me LDK-në, besojmë në marrëveshje Foto: Lëvizja Vetëvendosje (LVV)

Janë bërë më shumë se 3 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku Lëvizja Vetëvendosje si partia fituese ende nuk ka arritur koalicion qeverisës me partinë e dytë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Po ashtu tashmë Vetëvendosje ka propozuar edhe mandatarin për Kryeministër të Kosovës, i cili është Albin Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se do t’i intensifikojë veprimet e saj për të arritur marrëveshje për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të qeverisur vendin në katër vitet e ardhshme.

Dje pasi LDK-ja e kishte mbajtur një mbledhje me Kryesinë e partisë, ia ka bërë të qartë Lëvizjes Vetëvendosje se marrëveshja për bashkëqeverisje ose duhet të arrihet deri në fund të javës, ose duhet të shpallet e dështuar ajo.

Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila në seancën e 26 dhjetorit ku u konstituua legjislatura e shtatë, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, ka thënë për Gazetën Insajderi, se besojnë se brenda afatit kushtetues që ka Kurti si mandatar për formimin e Qeverisë, do të arrihet marrëveshja me LDK-në.

“Po, unë besoj që shumë shpejt do të intensifikohen aktivitetet, do të shohim cila është mënyra më e mirë për të arritur deri të marrëveshja në mënyrë që me përfundimin e afatit kushtetues për të propozuar qeverinë në Kuvend të jemi të gatshëm dhe t’i kemi të përafruara të gjitha çështjet dhe të arrijmë zgjidhjen e të gjitha çështjeve të fundit që kanë mbetur të hapura”, ka thënë Nagavci.

Mirëpo, ajo ia ka përkujtuar edhe një herë partnerit të mundshëm qeverisës se posti i kryetarit të Kuvendit tashmë është kryer dhe nuk kthehen mbrapa.

Kjo, pasi LDK-ja vazhdon të insistoi se ky post u takon atyre në marrëveshjen për koalicion qeverisës, deri në zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që të kenë pushtetin e balancuar.

“Besoj që çështja e kryeparlamentarit është një çështje që tashmë është vendosur me vullnetin e 75 deputetëve që e kanë vendosur atë dhe nëse flasim për pushtetet Kushtetuta e përcakton saktë se si janë të ndara pushtete në ekzekutiv, në legjislativ dhe në presidencë. Kështu që besoj se do të arrijmë një mirëkuptim sepse ky ka qenë vullneti i qytetarëve dhe është obligim i neve dy partive që të gjejmë rrugën për arritur deri të marrëveshja përfundimtare dhe t’iu japim qytetarëve qeverinë për të cilën kanë votuar”, është shprehur ajo.

Megjithatë, ajo thotë se është pajtuar me disa deklarata të kreut të LDK-së, Isa Mustafa, i cili mbrëmë pas mbledhjes së kryesisë ia kumtoi VV-së, qëndrimin e udhëheqjes së partisë.

“Mustafa ka përmendur dje në deklaratën e tij një çështje të rëndësishme me të cilën unë personalisht pajtohem plotësisht. Ai ka përmendur që duhet të bëhet balancimi i qeverisjes dhe ne pajtohemi që të kemi balancim të qeverisjes dhe në frymën e kësaj kemi propozuar, kemi ofruar dhe jemi të gatshëm që të marrim përgjegjësi të njëjta, pra në ekzekutiv, në qeverisje”, theksoi nënkryetarja e Kuvendit.