VV: Nëse s’arrijmë marrëveshje me LDK-në, opsion është edhe qeveria e pakicave

17.01.2020

Bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kishin rifilluar në javën që lamë pas, por ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje për bashkëqeverisje. Më 15 janar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ia kishte bërë një ofertë Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëqeverisje, duke kërkuar Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj […]

VV: Nëse s’arrijmë marrëveshje me LDK-në, opsion është edhe qeveria e pakicave Foto: Ilustrim

Bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kishin rifilluar në javën që lamë pas, por ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje për bashkëqeverisje.

Më 15 janar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ia kishte bërë një ofertë Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëqeverisje, duke kërkuar Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët. Partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, për President të vendit do të përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK-ja.

Por, dje Lëvizja Vetëvendosje i dërgoi një letër Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku thuhet se ne nuk mund të kthehemi para 26 dhjetorit 2019, kur e keni refuzuar ofertën time për kryeparlamentar të LDK-së.

Po ashtu tashmë Lëvizja Vetëvendosje është në pritje totale të përgjigjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por, nëse nuk arrihet marrëveshja me partinë e drejtuar nga Isa Mustafa, Vetëvendosje, paralajmëron që do të mund shkojë edhe në qeveri të pakicave, njofton Klan Kosova.

“Ne po insistojmë në një marrëveshje të drejtë me LDK-në si partner në qeverisje dhe do të tentojmë që deri në fund ta arrijmë. Por, edhe qeveria e pakicave është një opsion, por ne jemi të vendosur që të punojmë drejt një marrëveshje me LDK-në”, tha Sveçla.

Po ashtu Sveçla tha se LDK-ja duhet të mbledhë Këshillin e Përgjithshëm të saj dhe më pas të vendosë për ofertën e Albin Kurtit, që sipas tij, është shumë gjeneroze.

“Në takimin e fundit të dy subjekteve politike ne jemi dakorduar që oferta jonë të shkojë në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së dhe të marrim përgjigje zyrtare në këtë ofertë tonën. Sa i përket letrës, oferta e Levizjes Vetëvendosje është ofertë zyrtare e kësaj partie.

Sveçla tha se janë duke e pritur përgjigjën e tyre dhe në bazë të asaj përgjigje të ndërmerren edhe hapat e ardhshëm. Brenda letrës ai tha se është edhe një kërkesë për takime me LDK-në.

Zgjedhja e Glauk Konjufcës kryeparlamentar për Lëvizjen është një punë e kryer.

“Kryetari i ri i Kuvendit, Glauk Konjufca, është zgjedhur me 75 vota dhe në mënyrë shumë demokratike. Ai është i duhur për këtë pozitë për të bërë çkapjen e shtetit dhe besoj se do të tregojë sukses. Nëse dikush ka vërejtje ndaj punës së tij ka të drejtë të bëjë kërkesën për shkarkim nëse arrijnë votat. Ai është i denjë për këtë post dhe Vetëvendosje nuk lëviz nga ky qëndrim”.

Ndërkaq sot deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka paralajmëruar se mund të ketë edhe zgjedhje të reja.

“Nëse për arsyeje që nuk varen prej nesh nuk arrihet implementimi i vullnetit të qytetarëve duhet të kthehemi të qytetarët”, tha ajo, duke rikujtuar se kanë dal të parët në zgjedhjet e 6 tetorit.