VV: Llogaritë e Telekomit janë bllokuar ashtu që Dardafone net/Devolli të zhvasë një borxh fiktiv

Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së ka njoftuar se Telekomit të Kosovës i janë bllokuar llogarit bankare nga përmbaruesi privat për rastin me “Z-Mobile”.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një reagimi ka thënë se llogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar ashtu që Dardafone net/Devolli të zhvasë një borxh fiktiv të sajuar nëpër procese të orkestruara.

“Sot morëm njoftimin se llogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar ashtu që Dardafone net/Devolli të zhvasë një borxh fiktiv të sajuar nëpër procese të orkestruara. Pra 24. 6 milionë euro i pretendon pala që sot duhet të ishte e paditur dhe e gjykuar bashkë me nënshkruesit menaxherial e politikë për kontratë me elementë të krimit të organizuar.

Telekomi i Kosovës ato pak të ardhura që i ka në këto momente i ka për pagat e punëtorëve dhe operimin shërbimeve bazike, që me shumë kujdes e kursim po i përdorë menaxhmenti i ri.

Çdo veprim që po bëhet mbi Telekomin është i orkestruar dhe i toleruar në bashkëpunim me drejtuesit politikë që gjenden në Qeverinë e Kosovës dhe partnerët e tyre politikë të klubit PLAN me të cilët po i kryejnë pazaret e të gjitha niveleve.

Për t’u theksuar është zelli i gjyqtares në Gjykatën Themelore, që mes mijëra lëndëve që presin me vite, në kohë rekorde, në më pak se 2 javë ka nxjerrë një vendim me peshën e rrënimit të Telekomit e në favor të Dardafone.net e Devollëve. Padrejtësinë dhe turpin e Gjykatës Themelore nuk duhet ta tolerojë Gjykata e Apelit në të cilën tashmë është kontestuar ai vendim i padrejtë dhe që i shkakton dëme të mëdha Telekomit. Ky rast e dëshmon nevojën edhe më të madhe të procesit të vettingut në mënyrë që vendi ynë përfundimisht të ketë gjyqtarë të pavarur dhe të pakorruptuar që nuk i nënshtrohen politikës dhe nuk shkatërrojnë ekonominë.

Edhe njëherë theksojmë se Telekomi i Kosovës është çështje e sigurisë shtetërore, e sigurisë së 2350 punëtorëve të Republikës së Kosovës dhe e gjithë sektorit të komunikimeve elektronike e shumë ndërmarrjeve tjera publike e private të lidhura me Telekomin.

Kjo duhet të ndalet sa më parë dhe heshtja e Prokurorisë e Qeverisë është e patolerueshme.

Grupi ynë parlamentar e shtroi këtë çështje ditën e hënën 13 korrik, para Kuvendit, si çështje urgjente, por deputetët e kapur pas pushtetit korruptiv nuk pranuan ta fusnin në rend të ditës.

Edhe Kuvendi duhet sa më parë ta trajtojë këtë çështje dhe të marrë qendrim për ta ndalur këtë kanosje të rendit e sigurisë në vend” thuhet në reagimin e LVV-së.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.