VV e LDK çdo herë e më larg marrëveshjes, po sillen si në fushatë parazgjedhore

17.01.2020

Bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kishin rifilluar në javën që lamë pas, por ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje për bashkëqeverisje. Më 15 janar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ia kishte bërë një ofertë Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëqeverisje, duke kërkuar Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj […]

VV e LDK çdo herë e më larg marrëveshjes, po sillen si në fushatë parazgjedhore Foto: Ilustrim

Bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kishin rifilluar në javën që lamë pas, por ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje për bashkëqeverisje.

Më 15 janar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ia kishte bërë një ofertë Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëqeverisje, duke kërkuar Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët. Partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, për President të vendit do të përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK-ja.

Por, dje Lëvizja Vetëvendosje i dërgoi një letër Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku thuhet se ne nuk mund të kthehemi para 26 dhjetorit 2019, kur e keni refuzuar ofertën time për kryeparlamentar të LDK-së.

Sipas disa deklarimeve të zyrtarëve të të dy subjekteve politike, mundësia për një koalicion qeverisës mes VV-së e LDK-së çdo herë e më larg, pasi që disa zyrtarë po lëshojnë edhe “akuza” ndaj njëri-tjetrit.

Njohës të çështjeve politike në vend po konsiderojnë se dy partitë të cilat po synojnë të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje, tani janë më larg se asnjëherë më parë drejt nënshkrimit.

Njohësi i rrethanave politike në vend, Ramush Tahiri thotë se tani më nuk ka raporte të sinqerta në mes të dy partive.

Gjithashtu ai përmend edhe grupime të brendshme në parti që mund të ndikojnë në mendimin politik.

“Po duket sikur fushata zgjedhore ose parazgjedhorë po vazhdon, mirëpo tani vetëm ndërmjet dy akterëve, Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa partitë e tjera kanë mbetur të heshtura, ani që edhe partitë e tjera e kanë mandatin e popullit dhe i kanë vendet e deputetëve dhe kanë po aq rëndësi sa edhe këto dy parti që kanë dalë e para dhe e dyta. Bisedimet ndërmjet VV dhe LDK që po zhvillohen tash e disa muaj nuk po japin rezultat sa i përket ndarjes së pushtetit ose pozitave kushtetore. Dhe tash, kanë nisë të komunikojnë edhe me letra por edhe publikisht t’i qojnë porosi njëra tjetrës dhe të kërkojnë animimin e opinionit”, thotë Tahiri.

Sipas tij këto ditë pritet të jenë përfundimtare rreth çështjes së arritjes të një marrëveshje të mundshme në mes të dy partive.

Dhe sipas tij, të dy partitë e kanë obligim që bashkërisht t’u drejtohen qytetarëve përmes konferencës për media, lidhur me çfarëdo vendimi që do të marrin.

“Për me u marrë vesh për një ministër më shumë ose një ministër më pak, përnjëmend nuk ia vlen që të torturohen qytetarët dhe që të zhagitet kaq shumë procesi i Kosovës. Sepse, edhe nëse arrijnë me ba marrëveshje këto ditë, të gjitha këto vonesa do të shprehen si pasoja në qeverisjen e tyre në rend të parë, e mandej në jetën e qytetarëve dhe pakënaqësitë e qytetarëve me reformimin e ngadalshëm të jetës , shoqërisë, por edhe me mos zhvillimin ekonomik sepse këto ngecje shprehen në politikat zhvillimore”, thotë Tahiri.

Ndërkohë Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv i organizatës “Çohu”, duke përmendur deklarimet e zyrtarëve të dy partive ditët e fundit, në emisione televizive, që sipas tij tash kanë nisur edhe të tregojnë detaje nga brendia e takimeve që kanë pasur, thotë se marrëveshja është më larg se asnjëherë më parë.

“Në një mënyrë jam bindur që një marrëveshje e tillë partneriteti në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së unë e shoh të pamundshme, pikërisht për shkak të asaj çka ndodhi mbrëmë. Vazhdimisht nuk kemi parë tendencat asnjë prej këtyre individëve që me relativizu situatën dhe me shku drejt arritjes së një marrëveshje potenciale, por qëndrimet e tyre kanë që në atë drejtim sa që vetëm u mundojshin njëri tjetrin me lënë fajtor se nuk po bëhet marrëveshja e nuk u mundojshin me gjet zgjidhje si me shku deri te marrëveshja. Kështu që e shoh të pamundur që një marrëveshje mund të ndodh në mes VV dhe LDK sidomos duke u bazuar në deklaratat që mbrëmë kanë ndalë nga të gjithë akterët e këtyre dy subjekteve politike”, thotë Demhasaj.

Ndërsa sipas Bekim Kabashit, i cili përcjell zhvillimet politike në vend, Lëvizja Vetëvendosje po bën veprime të cilat nuk e përafrojnë me LDK-në, ndërkohë që e njëjta e ka obligim, si fituese e zgjedhjeve që të gjejë mundësinë deri të marrëveshja me LDK-në.

“Nëse kthehemi në retrospektivë, dhe marrim deklaratën e zotit Kurti të para disa javësh ku thotë se do të na duhen vetëm 72 orë për t’i ndarë postet për ta bërë marrëveshjen e koalicionit, pra ishte një deklaratë shumë optimiste, ndërsa tani të dy palët shihen të jenë shumë pesimist nëse mund të arrijnë marrëveshje. Pra janë larguar aq tepër sa që është një raport shumë më i ndarë sesa para zgjedhjeve kur partitë konkurronin, ndoshta edhe më i ndarë se sa në fushatën elektorale kur LDK dhe Vetëvendosje vepronin ndaras për të arritur të marrin sa më shumë vota që t’i fitojnë ato zgjedhje”, thotë Kabashi.

Po ashtu sot deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka paralajmëruar se mund të ketë zgjedhje të reja.

“Nëse për arsyeje që nuk varen prej nesh nuk arrihet implementimi i vullnetit të qytetarëve duhet të kthehemi të qytetarët”, tha ajo, duke rikujtuar se kanë dal të parët në zgjedhjet e 6 tetorit.