Vrasja në Peqan të Suharekës, pala e dëmtuar sërish kërkoi përjashtimin e prokurorit Genc Nixha

21.11.2018

Vet prokurori Genc Nixha kërkoi ndërprerjen e seancës, derisa kryeprokurori i shteti të vendos për kërkesën për përjashtimin e tij. “Në mëngjes një orë pa filluar seanca, jam njoftuar nga kryeprokurori i Prizrenit, se pala e dëmtuar për herën e tretë radhazi po kërkon përjashtimin tim nga kjo çështje. Pata mundësinë që të shikojë arsyet […]

Vrasja në Peqan të Suharekës, pala e dëmtuar sërish kërkoi përjashtimin e prokurorit Genc Nixha Foto: Ilustrim

Vet prokurori Genc Nixha kërkoi ndërprerjen e seancës, derisa kryeprokurori i shteti të vendos për kërkesën për përjashtimin e tij.

“Në mëngjes një orë pa filluar seanca, jam njoftuar nga kryeprokurori i Prizrenit, se pala e dëmtuar për herën e tretë radhazi po kërkon përjashtimin tim nga kjo çështje. Pata mundësinë që të shikojë arsyet të cilat kërkohen, e që ishin po të njëjtat si më parë, kërkesë e cila më parë ishte refuzuar”, deklaroi prokurori Nixha.

“Jam i zhgënjyer që përjashtimi im kërkohet nga pala e dëmtuar. Në aspektin ligjor dhe procedural interesat e tyre i mbroj edhe unë, përpos që i mbron përfaqësuesi i tyre”, tha prokurori i rastit, përjashtimin e të cilit po e kërkon pala e dëmtuar.

Nixha tutje shtoi se: “Për këtë çështje dhe në këto rrethana unë nesër personalisht do të shkoi tek kryeprokurori i shteti Lumezi,  dhe do t`i paraqes arsyet e mia si përgjigje ndaj kërkesës së palës së dëmtuar”.

Trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit Xheladin Osmani, Artan Sejrani dhe Alija Fazliji, ndërpreu seancën, e cila pritet të vazhdojë pasi të merret vendimi lidhur me përjashtimin apo jo të prokurorit sipas kërkesës së palës së dëmtuar.

Kallxo.com në vazhdimësi ka raportuar për vrasjen e rëndë e cila kishte ndodhur në Peqan të Suharekës.

Sipas aktakuzës, Resmije Bytyqi, akuzohet se në vitin 2016 me dashje e shtynë Murat Ademin për të kryer veprën penale të vrasjes, dhe atë të bashkëshortit të saj, Abedin Bytyqit, andaj për veprimet e saj Prokuroria Themelore Prizren e ngarkon se në shtytje ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Murat Ademi së bashku me të vëllain Reshat Ademi, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Pjesë e aktakuzës është edhe Fadil Fetiu, i cili akuzohet për moslajmërim të veprës penale.

Në seancën e sotme ishte e paraparë që  bëhej  dëgjimi i një dëshmitari të ri të propozuar nga i akuzuari Murat Ademi.