Sot u bë vënia e gurëthemelit të shkollës “Dëshmorët e Kombit” në fshatin Vraniq, të komunës së Suharekës. Investim ky nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, i cili kapë vlerën e investimit mbi 1 milion euro.
Të pranishëm ishin zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, zv. ministri, Sami Hajdaraj, drejtori i arsimit të Suharekës, Remzi Bytyqi dhe përfaqësues nga komuna, si dhe mësimdhënës dhe bashkëfshatarë, ku të gjithë se bashku përuruan gurëthemelin e shkollës “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas zv.kryeministrit, Fatmir Limaj, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka ardhë me një investim të fuqishëm në këtë fshat, i cili kap vlerën e shumës mbi 1 milion euro.
“Vraniqi do ta ketë një shkollë ashtu siç e meriton. MAShT vjen me një investim të fuqishëm këtu, investim mbi një milion euro në këtë shkollë dhe kjo tregon që Vrasniqi përfundimisht do ta ketë një shkollë siç e meriton ky fshat. Pas ndërtimit të kësaj shkolle, fëmijët do të kenë kushte dhe standarde për mësim siç e meritojnë. Jam shumë i kënaqur që po ia kthejmë një respekt këtij fshati, e di që jemi vonuar, por ne kur e kemi pasur rastin e kemi bërë. Shkolla e Vraniqit do të jetë një nga shkollat më të mira në Kosovë ” shtoi tutje Limaj.

Kurse kryetari i komunës, Bali Muharremaj i përshendeti të gjithë të pranishmit dhe theksoi që sot në Suharekë është bërë investim mbi 2.5 milion euro, pasi që sot do të bëhet edhe përurimi i gurëthemelit të shkollës në fshatin Dobërdelan.