Vonesat e rezultateve për COVID-19, për shkak të mbingarkesës së Laboratorit të IKSHPK-së në Prishtinë

Drejtori i QRSHP-së në Prizren, Dr. Fadil Kryeziu, në Klan Kosova ndër tjera ka folur edhe për vonesat e rezultateve të testimeve për COVID-19.

Vonesat për të cilat ka pasë shumë kritika dhe ankesa, ndodh për shkak të mbingarkesës së Laboratorit të IKSHPK-së në Prishtinë, ka thënë Kryeziu.

“Ne nuk kemi rezultate për dy ditët e fundit që kemi mostruar, derisa sot kemi marrë rezultatet e ditës së martë dhe të mërkurë. Kjo ndodh për shkak të ngarkesës shumë të madhe në laboratorin e Prishtinës ku kapacitetet teknike dhe njerëzore kaq mund të bëjnë. Po supozoj që e kanë tejkaluar edhe mundësinë, sepse po bëhet një punë e jashtëzakonshme nga kolegët në laborator”.

Ai ka thënë se edhe afërsia me kufirin me Shqipërinë është një mundësi e madhe e bartjes së infeksionit.

“Jemi në pikën e kufirit me Shqipërinë ku vetëm gjatë vikendit mësyjnë Shqipërinë mbi 6000 persona që është një mundësi e madhe e bartjes së infeksionit tutje” ka shtuar ai.

Ai ka treguar se sa raste aktive me Covid-19 janë në Prizren dhe këtë rajon dhe sa janë shëruar.

“Ne vetëm në Prizren kemi rreth 100 raste aktive me Covid-19. Sot kemi 17 të rinj që futen në grupin e atyre që janë aktivë. Në nivel të rajonit kemi mbi 200 persona që janë Covid-19 aktiv. Por, edhe gama e të shëruarve po shkon duke u rritur – vetëm në muajin korrik kemi mbi 161 persona që janë shëruar në gjithë komunën. Për fat të mirë një pjesë e madhe e këtyre personave po e përballojnë infeksionin, derisa për fat të keq një numër i pacientëve kanë ndërruar jetë. Vetëm në Prizren gjatë muajit korrik kemi një numër të lartë të të vdekurve”.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.