Vogel: Dialogu Kosovë-Serbi në gjendje të keqe, takimi Kurti e Vuçiq një performancë

25.06.2024

Eksperti i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE) nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit (DPC) në Bruksel të Belgjikës, Toby Vogel, ka thënë se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, nën kujdesin e BE-së për një kohë të gjatë shërben si forum për menaxhimin e krizave.

Vogel: Dialogu Kosovë-Serbi në gjendje të keqe, takimi Kurti e Vuçiq një performancë Foto: Ilustrim

Kështu deklaroi ai duke komentuar deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili ka thënë të hënën se nuk do të dorëzohet derisa Kosova dhe Serbia të arrijnë zgjidhje operative.

“Dialogu ka qenë në gjendje të keqe për një kohë të gjatë, duke shërbyer vetëm si një forum për menaxhimin e krizave të prodhuara”, ka shkruar Vogel.

Ndryshe, shefi i diplomacisë evropiane dhe emisari i posaçëm, Miroslav Lajçak, do të vazhdojnë të mërkurën një rund të ri të negociatave ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në përpjekje për të çuar përpara procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Vogel e ka cilësuar “performancë” të BE-së thirrjen e këtij takimi: “Ky takim është ushtrim për të ndërtuar një trashëgimi dhe për të lejuar Borrellin e Lajçakun të deklarojnë se procesi vazhdon dhe jep rezultate. Vuçiqi dhe Kurti do të marrin broshura të Planit të Rritjes dhe lavdërime nga BE – thjesht performancë”.