Vjosa Osmani: Thaçi tenton të flasë në emër të 91 deputetëve, por, JO NË EMRIN TIM

Ish-kandidatja e LDK-së për kryeminsitre dhe aktualisht kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka thënë se presidenti Hashim Thaçi s’mund të flasë në emrin e saj si deputete në tentimin për të formuar qeveri të re pa dërguar vendin në zgjedhje.

Thaçi sot vendosi t’ia japë mandatin partisë apo koalicionit që siguron shumicën në Kuvend për të formuar qeverinë e re. Ai tha se pro janë 91 deputetë, duke u bazuar në deklaratat e krerëve të partive.

Kryeparlamentarja Osmani përmes një shkrimi ka reaguar lidhur me prononcimin e Thaçit duke thënë se ai nuk mund të flas në emër të saj dhe të qindra mijëra qytetarëve.

“Si sot 7 vite më parë, Thaci solli për votim në Kuvend marrëveshjen e tij me Dacic, të cilën e quajti njohje të Kosovës nga Serbia. Marrëveshja, në fakt, krijoi Asociacionin e Komunave Serbe, legalizoi strukturat kriminale të veriut, i futi strukturat e sigurisë së Serbisë në institucionet tona, krijoi sistem jounitar gjyqësor e ofroi amnisti për serbët që kishin kryer krime. Atëherë votova KUNDËR, e bindur që kjo nuk ishte as njohje e as marrëveshje finale dhe vetëm hapte rrugë për shkelje të tjera të rënda në dëm të shtetësisë, integritetit territorial e sovranitetit të vendit.

Sot, 7 vite pas, po i njëjti tenton të flasë në emër të 91 deputetëve. Por, JO NË EMRIN TIM, e as në emër të qindra mijëra qytetarëve të tjerë të këtij vendi, të cilët njëjtë sikur më 6 tetor 2019, edhe sot qartë dijnë të bëjnë dallimin e të mirës me të keqen” ka shkruar Osmani.

RAPORTO