Lajme

Vjosa Osmani i kundërpërgjigjet Veliut që kritikoi Vetëvendosjen për arritjen e koalicionit

Ilustrim

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur nënkryetarit të partisë së vet, Agim Veliu, që kritikoi Vetëvendosjen në qasjen e saj për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Veliu dje në një postim në Facebook tha se “veprimet e ditëve të fundit të VV-së s’janë përpjekje serioze për ndërtimin e institucioneve”. Sipas tij, VV-ja donte ta nënshtronte e nënçmonte LDK-në. Në fund ai kishte thënë “kërkesat e sotme të VV-së shkojnë edhe më larg, në synimin e tyre që LDK të shkëputet nga e kaluara e saj europiane dhe euroatlantike”.

Kësaj deklarate, Osmani iu përgjigj duke thënë se në kohën kur u tentua shfuqizimi i Gjykatës Speciale, ishte vetëm Vetëvendosja që doli bashkë me LDK-në për “të mbrojtur shtetësinë, miqësitë dhe orientimin properëndimor të vendit”.

“Miqësitë që LDK-ja ndërtoi me botën demokratike janë ato që përcaktuan orientimin strategjik te vendit tonë: orientim pro-perendimor e euro-atlantik. Para rreth dy vitesh, partitë në pushtet, ato të koalicionit PAN, filluan nismën për shfuqizimin e gjykatës speciale, e cila nga partnerët tanë u quajtë ‘thike pas shpine’, ‘rreziku më i madh në Kosovën e pasluftës’, ‘shkatërrim i miqësive’, e ‘shkelje e orientimi euro-atlantik’. Meqë miqtë tanë ndërkombetarë dhe kërkesat e tyre injoroheshin nga Presidenti i vendit dhe partitë në pushtet, që të gjithë u drejtuan tek zyret e LDK-së. Sërish, ishte pikërisht LDK-ja, vendi ku do të mbrohej shtetësia, miqësitë dhe orientimi pro-perendimor i vendit. Por këtë nuk mund ta bënim vetë. Ishte vetëm një parti që i doli në krah përpjekjeve të LDK-së atë ditë: Lëvizja Vetëvendosje. Atë mbrëmje, për këdo që e kupton politikën drejtë, është ndërtuar koalicioni i shpresës. Atë ditë, është rikonfirmuar orientimi pro-perendimor dhe euro-atlantik. Atë nuk e bëri LDK-ja vet, e as LVV-ja vetë…por e bënë LDK dhe LVV bashkë, me bekimin e miqve tanë ndërkombetarë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Në fund ajo ka përsëritur një deklaratë që ka thënë se e kishte bërë atëkohë ambasadori amerikan në zyrat e LDK-së.

“Pyetja që shtrohet sot për kundërshtuesit, penguesit e bllokuesit e ndryshimit, në një kohë kur Kosova rrezikon të zbrazet e të shndërrohet në shtet të dështuar, është pikërisht e njejtë me atë që Ambasadori i atehershem amerikan e bëri në zyret tona në orët e vona të mbrëmjes ne v.2017 ku ishin bashkuar zyrtare nga LDK e LVV: CFARË DO JU DUHET PARTIA KUR NUK DO TE KETË MË KOSOVË?” ka përfunduar Osmani.