16.08.2019, 12:30

Vizat, në pikëpyetje edhe për vitin 2020

Premtimi i kryeministrit Ramush Haradinaj se liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian do të ndodhë në shtator të këtij viti i ka gjasat e barabarta me zero që të realizohet, pasi vendi në atë kohë pritet të jetë në mes të fushatës zgjedhore pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të ndodhë më 22 gusht 2019, ndërsa çështja e vizave nuk do të futet as në rend dite në institucionet vendimmarrëse të BE-së në shtator.

Njohësi i çështjeve integruese Besnik Vasolli duke folur për liberalizim e vizave të Kosovës ka thënë se mosluftimi i mjaftueshëm i krimit të organizuar dhe i korrupsionit, numri në rritje i azilkërkuesve, situata politike në Kosovë etj. janë vetëm disa nga faktorët, të cilët kanë ndikuar që shtetet anëtare të BE-së të mos jenë unike për heqjen e vizave.

“Mosluftimi i mjaftueshëm i krimit të organizuar dhe i korrupsionit ka ndikuar negativisht në disponimin e shteteve anëtare për t’ua mundësuar kosovarëve të udhëtojnë pa viza. Po ashtu edhe numri në rritje i azilkërkuesve nga shtetet e Ballkanit Perëndimor ka ndikuar negativisht në BE, posaçërisht te disa shtete të cilat hezitojnë të marrin vendimin për liberalizimin e vizave, pasi kanë frikë se edhe kosovarët do të emigrojnë në mënyrë jo të rregullt dhe kështu do të sjellin telashe për ato shtete”, ka thënë Vasolli për “Zërin”.

LEXO EDHE:  Haradinaj: Nuk do të ndalem që ta mbajë Serbinë jashtë Kosovës

Përpos këtyre, Vasolli vlerëson se marrëdhëniet e përkeqësuara mes Kosovës e Serbisë ndikojnë që të rritet skepticizmi i disa shteteve anëtare të BE-së në raport me vizat e Kosovës.

N.T.P.SH “HALITI” gjiganti i ndërtimit në Suharekë

Të investosh në të ardhmen është gjëja më e duhur që çdo person do duhej ta ketë parasysh në secilin hap të jetës. E ardhmja është edhe më e sigurt nëse zgjedh rrugën dhe partnerin e duhur!

“Situata politike e krijuar në Kosovë, e posaçërisht marrëdhëniet në mes të Kosovës e Serbisë kanë vështirësuar procesin e vendimmarrjes. Këtu kemi të bëjmë me taksën e vendosur nga Kosova për produktet serbe, që hyjnë legalisht në tregun e Kosovës. Me letrën e shteteve të QUINT-it na është ofruar një shans i mirë, të cilën duhet të shfrytëzojmë në mënyrë shumë të mençur”, ka thënë ai.

Vasolli është shprehur skeptik se heqja e vizave mund të ndodhë gjatë këtij viti. Sipas tij, ka mundësi që në vitin 2020 kjo çështje të jetë në agjendën e BE-së.

“Institucionet e reja të BE-së që dolën nga zgjedhjet e fundit do të fillojnë punën më 1 nëntor 2019. Nuk pres që liberalizimi i vizave për Kosovën të jetë tema kryesore që ata do ta adresojnë. Ka mundësi që çështja e Kosovës të diskutohet në mars ose në qershor të 2020-s”, ka thënë tutje ai.