Gjatë ditës së sotme, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia është vaksinuar kundër COVID-19, me dozën e vaksinës “AstraZeneca”.

Pas vaksinimit, Vitia ka mbajtur një konferencë për media lidhur me vaksinimin kundër këtij virusi.

Ai ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, pasi që ekspertët po e vlerësojnë se në stinën e vjeshtës pritet të ketë valë të re të pandemisë COVID-19.

Ministri Vitia ka theksuar se vjeshta duhet ta gjejë vendin me sa më shumë qytetarë të vaksinuar dhe se vaksinimi është e vetmja mënyrë që të ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit.

“Vjeshta duhet të na gjejë me sa më shumë qytetarë të vaksinuar. Është e vetmja mënyrë dhe me siguri se edhe nëse paraqitet një valë e re deri në vjeshtë, e që sipas ekspertëve është pothuajse e pashmangshme, vetëm të vaksinuar ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit, shëndetin ekonomik, social, ruajmë mirëqenien tonë”, tha Vitia.

Po ashtu ai ka folur edhe për hezitimin e qytetarëve të Kosovës për të marrë dozën e vaksinës “AstraZeneca”.

Ministri i Shëndetësisë ka theksuar se vaksinat që i përdorë Republika e Kosovës janë të miratuara nga Agjencia Evropian e Barnave (EMA) dhe Administrata amerikane për Ushqim dhe Barna (FDA).

Vitia ka shtuar se ky hezitim për vaksinimin kundër COVID-19 po vjen prej individëve të papërgjegjshëm që me ose pa vetëdije po shkaktojnë dëme në shëndetin publik.

“Një numër i qytetarëve kanë hezituar të marrin dozën e parë AstraZeneca dhe natyrisht nuk kanë pasur asnjë arsye. Këtu kanë kontribuar disa individë të papërgjegjshëm të cilët me ose pa dashje po i shkaktojnë dëme procesit të vaksinimit”, tha ministri Vitia.