Vettingu dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme, Kurti: Morëm dritën jeshile nga Komisioni i Venecias

18.06.2022

Kryeministri Kurti në konferencë për media tha se rivlerësimin e verifikimin e aftësive të krerëve të pushtetit gjyqësor dhe prokurorial e nisim me mekanizma të jashtë, të pavarur nga çdo ndërhyrje. Po ashtu, ai ka shtuar se Komisioni i Venecias na bind që reformat janë adekuate dhe në pajtim me politikat e shteteve demokratike. “Rivlerësimin […]

Kryeministri Kurti në konferencë për media tha se rivlerësimin e verifikimin e aftësive të krerëve të pushtetit gjyqësor dhe prokurorial e nisim me mekanizma të jashtë, të pavarur nga çdo ndërhyrje.

Po ashtu, ai ka shtuar se Komisioni i Venecias na bind që reformat janë adekuate dhe në pajtim me politikat e shteteve demokratike.

“Rivlerësimin e verifikimin e aftësive të krerëve të pushtetit gjyqësor dhe prokurorial e nisim me mekanizma të jashtëm, të pavarur nga çdo ndërhyrje.  Sot jemi këtu për të prezantuar Vettingun dhe konfiskimin e  pasurisë së pajustifikueshme.

Të dy këto të vlerësuara lartë nga Komisioni i Venecias që Qeverisë së Kosovës ia ka falur besimin profesional për të jetësuar reformën e premtuar. Komisioni i Venecias na bind që reformat janë adekuate dhe në pajtim me politikat e shteteve demokratike”, ka thënë kryeministri Kurti në konferencë për media.

“Kemi marr dritën e gjelbër për të filluar me Vettingun dhe me themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë…paraqitet nevoja e domosdoshme për të pasur reformë në drejtësi. Komisioni rekomandon fillimisht verifikimin e  niveleve të larta në gjyqësi, vlerësimin e rregullt të gjyqtarëve tjerë… ”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Sipas saj, në Kosovë do të ketë Vetting duke filluar nga krerët e institucioneve të drejtësisë.

Ajo po ashtu tha se duke filluar nga sot Republika e Kosovës fillon një epokë të re.

“Do të ketë Vetting të plotë duke filluar nga krerët e institucioneve të drejtësisë. Nga sot Republika e Kosovës fillon një epokë të re.

Së pari në marrëdhëniet me një trupë të Këshillit të Evropës siç është Komisioni i Venecias, pra një mekanizëm i fuqishëm për drejtësinë e demokracinë, dhe së dyti Kosova do të ndërmarr me vullnet të saj, një proces që ka si synim kontrollin e vetvetes për të mbërritur te drejtësia, dhe së treti sepse qeveria e shtetit të ri, që sapo ka aplikuar për në Këshill të Evropës, është e gatshme të krijojë kushtet, që të hapet rruga për një luftë të përhershme kundër krimit të organizuar. E kemi mbështetjen edhe të kryeministrit”, tha tutje Haxhiu.