Sot Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj 11 të akuzuarve në rastin e njohur si “Pronto”.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe tetë të akuzuarit tjerë janë shpallur të pafajshëm për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Shashivar Hoti, nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale më të cilën ngarkohen.
Hoti tha se ndaj këtij aktgjykimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankesë në Gjykatën e Apelit dhe se aktgjykimin me shkrim dhe arsyetim të detajuar palët do ta pranojnë më vonë.
Kurse sipas aktgjykimit, shpenzimet e procedurës bien në barrë të gjykatës.
Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).
Për këtë vendim nga Gjykata Themelore e Prishtinës ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Është Mefail Bajqinovci, ai i cili ka reaguar pas këtij vendimit nga kjo Gjykatë, ku përmes një shkrimi në Facebook se me të gjitha provat e publikuara, prapë janë liruar protagonistët e rastit Pronto. Kjo sipas tij, tregon për kapjen e shtetit nga PDK-ja.
“Këtij shteti i duhet urgjentisht ligji i vetingut që të spastrohen gjykatat nga gjykatës të cilët marrin vendime arbitrare. Çfarë prova tjera duhet Grabovci and Co të dënohen. Turp!!!”, ka shkruar ai.