Vetëvendosje kërkon interpelancën e Hotit për Ujmanin, të pagjeturit dhe “Zajdenicën”

10.10.2020

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dorëzuar tri kërkesa për interpelancë të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, për tri çështje. Vetëvendosje ka sqaruar se kërkesa e parë lidhet me Liqenin e Ujmanit sipas Marrëveshjes së nënshkruar në Washington, e dyta me zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit dhe e treta lidhur […]

Vetëvendosje kërkon interpelancën e Hotit për Ujmanin, të pagjeturit dhe “Zajdenicën” Foto: Ilustrim

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dorëzuar tri kërkesa për interpelancë të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, për tri çështje.

Vetëvendosje ka sqaruar se kërkesa e parë lidhet me Liqenin e Ujmanit sipas Marrëveshjes së nënshkruar në Washington, e dyta me zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit dhe e treta lidhur me “Zajdenicën”.

“E para ka të bëjë me zotimin e Avdullah Hotit në Uashington për ta ndarë Liqenin e Ujmanit me Serbinë. Kjo është e paprecedentë dhe e rrezikshme ngase e përparon interesin e Serbisë për ta minuar sovranitetin e Republikës tonë, duke i dhënë asaj qasje në resurse tona ekonomike e strategjike. As Hoti, po as delegacioni i tij nuk kanë legjitimitetin për ta bërë këtë.

Ndërkaq, e dyta ka të bëjë me zotimin tjetër të tij në Uashington që kushtëzon zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit me ata që janë zhvendosur. Kjo përveç se është e dëmshme është edhe çnjerëzore.

Interpelanca e tretë ka të bëjë me deklaratat e Avdullah Hotit pas takimit me presidentin e Parlamentit Evropian dhe Komisionin e Politikës së Jashtme ku tha se “do ta respektojë plotësisht marrëveshjen për ‘Zajednicën’.” Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë këtë plan të Serbisë, duke gjykuar se ajo shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës në gjithsej 23 pika. Në fund të interpelancës Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! do t’i propozoj Kuvendit të Republikës së Kosovës miratimin e një Rezolute që mes tjerash ia ndalon çdo zyrtari publik e shtetëror kompetencën dhe autorizimin për të biseduar për rikthimin e kësaj çështje” thuhet në njoftimin e VV-së.