Çlirim Gashi
01.04.2019, 15:32

Veteranët në gëzim, pas refuzimit të kërkesës për pezullimin e pensioneve

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për refuzimin e kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila kishte kërkuar pezullimin e pensioneve për më shumë se 19 mijë veteranë.

Kjo organizatë ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë, që hetimit të listave të veteranëve të luftës t’i shkohet deri në fund, duke shqyrtuar në mënyrë individuale secilin rast.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë sot vendim për refuzimin e kërkesës së Prokurorisë Speciale për pezullimin e pensionit të 19 mijë e 500 veteranëve.

Kujtojmë se me datën 07.12.2018, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë nën shenjën PPS.nr.12/2018, kundër të pandehurve: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demalijaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, për shkak të veprës në bashkëkryerje, keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar.

Më poshtë keni vendimin e Gjykatës, përmes të cilit është refuzuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për pezullimin e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë.