“Veteranët” e rrejshëm, dënohen 3 persona me nga 1300 euro

Gjykata Themelore në Pejë, të enjten, i ka shpallur fajtorë të akuzuarit Blerim Ramosaj, Pal Berisha, Lekë Desku dhe Xhavit Maxharra, lidhur me akuzën se kanë mundësuar dhe falsifikuar dokumente për të përfituar statusin e veteranit të UÇK-së.

Të gjithë të akuzuarit janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim, por sipas gjykatësit Sejdi Blakaj, me pëlqimin e tyre, ky dënim është zëvendësuar me gjobë, në shumë prej 1300 euro, për secilin, raporton “Betimi për Drejtësi”

Sipas gjykatësit Blakaj, dënimi me gjobë do të ekzekutohet brenda afatit prej tre muajsh, posa aktgjykimi të merr formën e prerë.

Ndërsa, i akuzuari Maxharra është liruar nga paraburgimi dhe koha e kaluar në paraburgim prej 25 qershor 2019, deri më 22 gusht 2019, u është llogaritur në dënimin e shqiptuar me gjobë.

Edhe pse aktakuza nuk është lexuar nga prokurori Ardian Hajdaraj, të pandehurit e kanë pranuar fajësinë për veprat për të cilën akuzohen.

Mbrojtësi i të pandehurit Lekë Desku, avokati Arianit Koci tha se pajtohet plotësisht me pranimin e fajësisë nga ana e të mbrojturit të tij.

Gjithashtu edhe mbrojtësi i të pandehurit Xhavit Maxharraj, avokati Armand Krasniqi, është pajtuar me pranimin e fajësisë, duke kërkuar nga gjykata ta aprovojë atë dhe të mbrojturin e tij ta lirojë nga masa e paraburgimit.

Meqenëse, të pandehurit e pranuan fajësinë, me një gjë të tillë është pajtuar edhe prokurori i rastit Ardian Hajdaraj, duke theksuar se të akuzuarit edhe në proceduat e marrjes në pyetje i kanë pranuar veprat dhe aktakuza e Prokurorisë ka mbështetje në provat materiale në të cilat është ngritur aktakuza.

RAPORTO