Vetëm Thaçi mund ta rrëzojë qeverinë Haradinaj

23.05.2019

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka nisur një iniciativë për rrëzimin e qeverisë Haradinaj. Madje për këtë dje kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, zhvilloi një takim me liderin e partisë opozitare Vetëvendosje, Albin Kurtin, derisa pritet të takohet edhe me të parin e PSD’së, Shpend Ahmetin. Mirëpo për këtë njohësit e çështjeve politike kanë […]

Vetëm Thaçi mund ta rrëzojë qeverinë Haradinaj Foto: Ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka nisur një iniciativë për rrëzimin e qeverisë Haradinaj. Madje për këtë dje kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, zhvilloi një takim me liderin e partisë opozitare Vetëvendosje, Albin Kurtin, derisa pritet të takohet edhe me të parin e PSD’së, Shpend Ahmetin.

Mirëpo për këtë njohësit e çështjeve politike kanë këndvështrime të ndryshme. Derisa analisti Imer Mushkolaj e sheh si një iniciativë shumë serioze, Arton Demhasaj beson se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Në një prononcim për Gazetën Metro, Imer Mushkolaj ka thënë se kjo inciativë do të funksionojë vetëm me dëshirën e presidentit Thaçi, duke shtuar se e sheh si të çuditshme se si në këtë moment, VV, LDK e PDK, po dëshirojnë ta rrëzojnë qeverinë.

“Funksionon nëse don presidenti Thaçi. Kjo iniciativë ka ardhë tash edhe pyetja është pse bash tash, çka ka ndryshu tash, prej muajve më parë. Nëse po flasim për mënyren se si qeverisë Haradinaj, kjo mënyrë e qeverisjes ka qenë gjatë gjithë kësaj kohë, edhe më herët janë ndërmarrë iniciativa të tilla, por ka sinjale se ndonjëri nga deputetët e koaliconit qeveritar mund ta mbështesë këtë iniciativë, të paktën kështu dyshoj unë. Këto sinjale mund të kenë ardhur nga z.Thaçi të cilit po i pengon z.Haradinaj me idetë e tij, sidomos ajo që ka të bëjë me korigjimin e kufijve. Pra është një përpjekje besoj unë, që nëpërmjet votave që mund të sigurohen në heshtje nga z.Thaçi, nga deputet e PDK’së që janë njerztë e tij, të mund të provohet të arrihet një mocion mosbesimi i suksesshëm. Po them edhe njëherë se është e çuditshme se si në këtë moment iu ra në mend VV- LDK-PDK që Qeveria e keqe”, ka thënë Mushkolaj.

Tutje, ai ka shtuar se është hipokrizi të bësh koalicon qeveritar me një parti si Lista Serbe, por ai thotë se një gjë e tillë mund të ndodhë, duke marrë parasysh se LDK e ka bërë të njëjtën edhe më herët.

“Kur po e përmendin Listën Serbe për mu është shumë hipokrizi të bësh koalicion qevritar me një parti si Lista Serbe, dhe të rrëzosh qeverinë me po këtë parti. Këtë e ka bërë LDK edhe më herët. Të duken votat e mira për me ndërtu koalicionin, por jo me rrezu koaliconin, për mu është hipokrizi dhe këtë dijnë ta bëjnë vetëm njerëz që bëjnë politikë dhe lojëra të tilla për interesa politike”, tha Mushkolaj.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, thotë se kjo nismë nuk është serioze, duke marrë parasysh se lëvizje të tilla janë provuar edhe më herët.

“Iniciativa të tilla ka pasur përherë për të rrëzuar Qeveritë e ndryshme, por nuk kanë qenë serioze. Andaj, as këtë herë nuk e cilësoj si të tillë. Mund ta kërkojnë edhe ndihmën e Listës Serbe. Demokracia i kërkon 61 vota dhe nëse i grumbullon Qeveria rrëzohet edhe shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Mirëpo, nuk po shihet se partitë opozitare si LDK, PSD dhe VV e kanë marrë si serioze këtë iniciativë”, tha Demhasaj.

Ndryshe, LDK dhe Vetëvendosje përmes një komunikatë për media dje thanë se korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova, janë një prej arsyeve kryesore se pse qeveria Haradinaj duhet të rrëzohet./Gazeta Metro/