Vetëm 7,200 mësimdhënës janë vaksinuar në Kosovë, rrezikohet viti i ri shkollor

24.07.2021

Është duke vazhduar procesi i vaksinimit kundër COVID-19 për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ndonëse për mësimdhënësit ka kohë që është hapur aplikimi për vaksinim, por një gjë të tillë nuk po praktikohet nga një për qindje e madhe e mësimdhënësve. Deri tani vetëm 7 mijë e 200 mësimdhënës janë vaksinuar kundër COVID-19, derisa numri […]

Vetëm 7,200 mësimdhënës janë vaksinuar në Kosovë, rrezikohet viti i ri shkollor Foto: Ilustrim

Është duke vazhduar procesi i vaksinimit kundër COVID-19 për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ndonëse për mësimdhënësit ka kohë që është hapur aplikimi për vaksinim, por një gjë të tillë nuk po praktikohet nga një për qindje e madhe e mësimdhënësve.

Deri tani vetëm 7 mijë e 200 mësimdhënës janë vaksinuar kundër COVID-19, derisa numri i përgjithshëm i personi arsimor në nivel vendi është 24 mijë e 370.

Numër ky i lartëcekur po vlerësohet i vogël dhe brengosës e rrezik për vijimin normal të vitit të ri shkollor.

Derisa nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) thonë se nuk ka ligj që e bënë vaksinimin të detyruar, nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) deklarojnë se nuk do të kundërshtojnë nëse bëhen obligative vaksinimi i mësimdhënësve.

“Bazuar në të dhënat e deritanishme, në Kosovë janë vaksinuar kundër COVID-19 rreth 7200 mësimdhënës të niveleve të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Numri i vogël i personelit arsimor të vaksinuar po shihet si shqetësues edhe për Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Ymer Ymeri, përfaqësues nga kjo sindikatë thotë për KosovaPress se nuk ka asnjë arsye që mësimdhënësit të refuzojnë vaksinimin.

Ai potencon se mos vaksinimi i mësimdhënësve mund të ndikojë që viti i ri shkollor të rrezikojë të nisë me prezencë fizike në objektet shkollore.

“Edhe për neve si SBASHK është brengosëse ky numër i vogël i vaksinimit të punëtorëve arsimorë, për shkak se siç e dimë është krijuar mundësia që të gjithë të vaksinohen dhe mos vaksinimi i punëtorëve arsimorë mund të shkaktojë mos fillimin e procesit mësimor në shkolla.

Prandaj ju bëjmë apel edhe një herë mësimdhënësve, të gjithë punëtorëve arsimorë, në veçanti mësimdhënësve, të vaksinohen për shkak se ka kohë që të merret edhe doza e parë edhe doza e dytë para se të fillojë viti shkollor”, ka thënë Ymeri.

Ai deklaroi se nuk do të kundërshtojnë nëse merret vendim që vaksinimi i mësimdhënësve të bëhet obligativ.

“Nëse ministria e Shëndetësisë ose ministria e Arsimit ose qeveria e Republikës së Kosovës e bënë të kushtëzuar fillimin e punës në shtator për mësimdhënësit me vaksinim ne nuk do të dalim kundër atij qëndrimi të qeverisë.

Nuk do të dalim kundër institucioneve të Republikës së Kosovës në qoftë se ata mendojnë që duhet të jetë obligative çështja e fillimit të vitit shkollor për mësimdhënësit, se mësimdhënësit duhet të jenë ajo shtresë të cilët nuk duhet të hezitojnë as nuk duhet të jenë të hamendur a duhet të vaksinohen apo jo, sepse i vetmi shpëtim nga virusi është vaksinimi”, ka potencuar ai.