Vendosja e flamurit në markete ka gjetur zbatueshmëri vetëm rreth 30%

Udhëzimi Administrativ për vendosjen e flamurit të origjinës së produktit, ka gjetur zbatueshmëri vetëm rreth 30%. Kështu thonë rezultatet e një monitorimi të kryer nga Aleanca Kosovare e Bizneseve.

Qytetarët thonë se jo në të gjitha marketet kanë parë të vendosur flamuj të origjinës pranë produktit. Ndërkaq ministri i Tregtisë, Endrit Shala, tha se udhëzimi ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorit dhe duhet respektuar, në të kundërtën do të shqiptohen gjoba.

Vetëm në disa markete të Kosovës ka filluar të zbatohet vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, për vendosjen  e flamurit të origjinës së produktit. Qytetarët thonë të kenë parë flamuj pranë produkteve, por jo në të gjitha marketet.

“Po kemi parë flamuj të vendosur në produkte. Coca Cola  ka qenë e Serbisë, ndërsa është vendosur flamuri i Belgjikës, u shpreh qytetari”, tha ai.

Edhe një qytetar tjetër, me emrin Paris, thotë që në shumicën e marketeve ka parë flamuj të vendosur në produkte. “ Shumë raste kam parë flamuj vendorë, ama jo në krejt marketet.”

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i cili e ka lëshuar këtë udhëzim administrativ,  për vendosjen e flamurit të origjinës së produktit, tha se mos vendosjen e flamujve duhet ta paraqesin vetë konsumatorët te inspektorët e tregut që për çdo ditë janë në terren.  

“Në secilën pikë apo shoqëri tregtare që Inspektorati e vëren që nuk është duke u respektuar Ligji për mbrojtje të konsumatorit, respektivisht vendosja e flamurit të origjinës, atëherë merr masa ndëshkuese siç e përcakton ligji”.

Lidhur me pohimet se në disa markete qytetarët kanë vërejtur flamuj të tjerë afër produkteve të Serbisë, ministri Shala thotë se nuk ka ndonjë informacion të saktë lidhur me këtë cështje, mirëpo një gjë e tillë është e denueshme.

RAPORTO