Në çdo fundvit në Kosovë dhjetëra qytetarë përfundojnë në Qendra Emergjente shkaku i lëndimeve të marra nga përdorimi i mjeteve piroteknike.
Kjo për arsye se nuk ekziston një vetëdije e plotë e qytetarëve për përdorimin e atyre mjeteve si rezultat i mungesës së mbrojtjes së konsumatorëve dhe përcaktimit të qartë të mënyrës së përdorimit të atyre mjeteve. Viktima të lëndimeve nga këto mjete deri me tani kanë qenë kryesisht gjeneratat e reja, respektivisht moshat nga 7 deri me 18 vjet.
Problematikë në këtë drejtim është vërejtur të jetë edhe keqpërdorimi me mjete piroteknike nga persona të moshave të reja, kryesisht meshkuj, të cilët eksperimentojnë duke kombinuar mjetet piroteknike për krijimin e një efekti të tingullit/zhurmës më të madhe e që në raste të pakujdesisë mund të ketë pasoja të mëdha sa i përket incidenteve/lëndimeve. Përpos lëndimeve fizike, një pjesë e caktuar e qytetarëve përballen edhe me pasoja psiko-sociale.
Duke qenë se Kosova jo shumë kohë më parë është përballur me një ambient lufte si rezultati i një konflikti të armatosur, përdorimi i mjeteve piroteknike mund të prodhoj efekte të kthimit të kujtesës së pavullnetshme (ri-përjetimi i një eksperiencë të kaluar) që ndikon në aspektin emocional tek qytetarët e traumatizuar dhe që ndikon negativisht tek perceptimet e tyre në lidhje me ambientin në të cilin ata jetojnë.
Po ashtu, shikuar nga aspekti i sigurisë ambientale përdorimi i mjeteve piroteknike ndikon edhe në shkatërrimin e botës bimore, ndotë ajrin si dhe kontaminon ujin gjë që mund të sjellë pastaj edhe pasoja shëndetësore tek njerëzit.
Si dhe në aspektin ekonomik, përdorimi i mjeteve piroteknike mund të ketë për pasojë edhe në zjarr-vënie aksidentale dhe demolimin e objekteve të ndryshme qofshin ato publike apo private.
Përdorimi i mjeteve piroteknike më së tepërmi rrezikon sigurinë personale të individëve. Në raste më të ‘lehta’ mund të shkaktohet dëmtimi i shëndeti fizik dhe psikologjik të individëve, kurse në rastet më të rënda, edhe të shkaktohet vdekja e tyre. Disa prej problemeve shëndetësore që shkaktohen nga përdorimi i mjeteve piroteknike janë: lëndimet si dhe gjymtimi trupor, problemet kardiovaskulare, dëmtim i dëgjimit, humbja e shikimit, shkaktim i frikës, stresit, ndikime psiko-sociale dhe të ngjashme. Mjetet piroteknike janë mjete të rrezikshme të cilat në shumë raste mund të ndikojnë në krijimin e një ambienti jo të sigurt në vendin ku ato përdoren.
Me përdorimin e tyre nga individ të thjeshtë gjatë festave të fund vitit, në rrethana të ndryshme janë shkaktuar pasoja shëndetësore dhe psikologjike të cilat kanë ndikuar në krijimin e një ambienti mjaftë kaotik.
Vitin e kaluar më 17 dhjetor Komuna e Suharekës përmes një urdhërese, kishte ndaluar përdorimin e mjeteve piroteknike, me përjashtim të datës 31 dhjetor.
Vitin e kaluar në Kosovë kanë hyrë rreth 110 mijë kilogramë mjete piroteknike, në vlerë prej 111 mijë euro.