Veseli kërkon pezullimin e taksës, Haradinaj e sheh fundin e qeverisë!

28.01.2019

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se taksa prej 100 për qind, e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, nuk do të hiqet, por ajo mund të pezullohet përkohësisht dhe me kushte, si mirëbesim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës […]

Veseli kërkon pezullimin e taksës, Haradinaj e sheh fundin e qeverisë! Foto: Ilustrim

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se taksa prej 100 për qind, e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, nuk do të hiqet, por ajo mund të pezullohet përkohësisht dhe me kushte, si mirëbesim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, për disa arsye.

Taksa doganore nuk duhet të hiqet, por ajo duhet të pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj. Dhe nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon, por edhe vendimet e tjera që me automatizëm dërgojnë në reciprocitet të plotë me këto dy vende”, ka thënë Veseli, në një shkrim të publikuar në llogarinë e tij zyrtare, në rrjetin social Facebook, në internet.

Deklarata e Veselit vjen pas një takimi që ai ka pasur sot me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për mundësinë e rrëzimit të shpejtë të qeverisë së tij.

Haradinaj ka thënë se nuk ka frikë nga zgjedhjet.

“Zgjedhjet janë të shëndetshme dhe aleati im mund të ndërmarrë veprime për të ikur nga qeveria”, është shprehur ai. 

“Nuk kam frikë nga zgjedhjet edhe sikur ato mund të ndodhin shumë shpejt”, ka thënë Haradinaj për syri.net.

Haradinaj nuk e ka përjashtuar mundësinë se brenda javës qeveria që ai drejton mund të bjerë, për shkak se mund të tërhiqet Partia Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Kadri Veseli.