Vendoset gurthemeli i pishinës gjysmë-olimpike në Podujevë, investim prej afro katër milionë euro

para 31 dite

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kanë vendosur sot gurin themeltar të një projekti madhor për këtë komunë – pishinën gjysmë-olimpike, një investim që kap vlerën prej afro katër milionë eurosh.

Vendoset gurthemeli i pishinës gjysmë-olimpike në Podujevë,  investim prej afro katër milionë euro

Sipas të dhënave zyrtare, ky projekt do të ndërtohet në një hapësirë prej 4,556 metrash katrorë, që përfshin përdhesen, katin e parë dhe podrumin. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të financojë rreth 3.5 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga Komuna e Podujevës.

Projekti përfshin:

  • Një pishinë për not profesional dhe garues;
  • Një pishinë për fëmijë;
  • Hapësira përcjellëse për rekreacion, gastronomi dhe shërbime të tjera për qytetarët.

Kryeministri në detyrë Kurti, në fjalën e tij me këtë rast, theksoi rëndësinë që ka ky investim për jetën publike dhe mirëqenien e qytetarëve të Podujevës:

“Me këtë projekt qytetarët e Podujevës do të kenë një mjedis të këndshëm, në të cilin do të mund të kujdesen për shëndetin e tyre përmes sportit të notit, por edhe të shoqërohen së bashku në një ambient publik që kujdeset për mirëqenien e tyre. Falënderoj kryetarin e Komunës dhe ministrin tonë për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që rezultoi me pishinën e dytë publike gjysmë-olimpike në Republikën e Kosovës – së pari në Deçan dhe tani në Podujevë.”

Ndërtimi i kësaj pishine vjen si pjesë e përpjekjeve të institucioneve për të zhvilluar infrastrukturën sportive publike dhe për të promovuar një jetë të shëndetshme dhe aktive për të gjitha grupmoshat. Pritet që ky projekt të përfundojë në afatet e paraparë dhe të jetë në shërbim të qytetarëve në sezonin e ardhshëm.

Etiketat

Ofertat e fundit