Herolind Bytyçi
14.05.2019, 21:36

Vendos gjykata: Orët e humbura gjatë grevës do të kompensohen!

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka refuzuar si të pabazuar padinë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), duke e lënë në fuqi vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), për zëvendësimin e orëve të humbura me rastin e grevës.

Në aktgjykimin e kësaj gjykate, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se vendimi i MASHT-it është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se kompensimi i orëve të humbura me rastin e grevës ka për qëllim zhvillimin arsimor të nxënësve dhe aftësimin e tyre social dhe profesional.Kjo sipas tyre është në përputhje me parimet e përgjithshme të arsimit parauniversitar të përcaktuara me Ligjin për Arsimin Parauniversitar.

Në anën tjetër Rrahman Jasharaj nga SBASHK tha se ne do ta respektojmë vendimin e Këshillit drejtues të SBASHK-ut, i cili e ka thënë se orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen. Do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi në shkallët tjera të Gjykatës të bindur që kemi të drejt. Nesër do të konsultohemi me juristin dhe stafin ku do të dalim publikisht që t’iu tregojmë çfarë do të bëjmë në hapat tutje”, ka deklaruar Jasharaj.