Çlirim Gashi
05.04.2019, 21:37

“Vendimi për taksën i gabuar dhe i ngutshëm”

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka thënë se vendimi për taksën 100 për qind ka qenë i gabuar dhe i ngutshëm, pasi nuk ka pasur strategji.

O’Connell ka thënë se ndërkombëtarët e kuptojnë pse Kosova ka ndërmarrë një veprim të tillë, por sipas tij, do të duhej të mendohej më gjatë para se të ndërmerrej.

“Ne e kuptojmë pse Kosova e ka bërë. Ka pasur presione nga Serbia për ushtarët e FSK’së serbë. Kemi pasur zhgënjime për luftën diplomatike për Interpol e çnjohje. Ka qenë gabim sepse s’ka pasur strategji. Strategjia për Kosovën do të duhej të ishte se çka kërkon nga dialogu. Nëse dialogu fillon nesër, Kosova ka tani Platformën e Ekipin, por a ka strategji se çka pranon e çka nuk pranon nga ky proces. Kosova duhet të bëhet gati për një proces të gjatë, në mënyrë që të ketë sukses. Pengesat që dalin në këtë rrugë, i pengojnë dy vendet drejt BE’së”, ka thënë O’Connell në Info Magazine në Klan Kosova.

Tutje, ai foli edhe për çështjen e shkëmbimit të territoreve.

“Ne nuk kemi ndryshuar qëndrimin. Është e rëndësishme që të mos kemi fokus vetëm te këto çështje. Pse është kaq e rëndësishme çka mendon Kosova për shkëmbim territoresh. E rëndësishme është çka mendon Kosova, e për këtë s’ka pasur fare debat publik. Nuk ecim përpara nëse s’ka debate gjithëpërfshirëse”, ka thënë O’Connell.

Sipas tij, ka gjasa që këtë vit të ketë marrëveshje mes Kosovës e Serbisë.