Vazhdon zakoni: Testi i Maturës kopjohet e shpërndahet me të madhe në rrjete sociale

26.06.2021

Mbi 23 mijë maturantë po i nënshtrohen sot Provimit të Maturës Shtetërore, në 177 qendra të testimit. Sipas MASHTI-t në proces janë angazhuar mbi 2 mijë administrues, 550 komisionerë, 360 mbikëqyrës, 200 vëzhgues, ndërsa rezultatet e testit pritet që të shpallen më 5 korrik. “Në koordinim me drejtoritë komunale të arsimit dhe me shkollat, MAShTI […]

Vazhdon zakoni: Testi i Maturës kopjohet e shpërndahet me të madhe në rrjete sociale Foto: Ilustrim

Mbi 23 mijë maturantë po i nënshtrohen sot Provimit të Maturës Shtetërore, në 177 qendra të testimit.

Sipas MASHTI-t në proces janë angazhuar mbi 2 mijë administrues, 550 komisionerë, 360 mbikëqyrës, 200 vëzhgues, ndërsa rezultatet e testit pritet që të shpallen më 5 korrik.

“Në koordinim me drejtoritë komunale të arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka realizuar të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë”, thuhet në njoftimin e MASHTI-t.

Por, kopjimet në Testin e Maturës Shtetërore nuk kanë të ndalur. Për çdo vit raportohet për kopjime masive të nxënësve të cilët edhe pas kontrolleve të rrepta nuk arrijnë t’i parandalojnë. Kopjimet zakonisht shpërndahen nëpër rrjete sociale.

Edhe këtë vit siç po raportohet në media, provimi i maturës ka filluar të shpërndahet me të madhe.

Nxënësit kanë hapur me dhjetra grupe ku po publikojnë provimet dhe nën to po shkruajnë përgjigjet që ata mendojnë se janë të sakta.

Ndonëse MASHT ka paralajmëruar dënime të ashpra për ata që zihen duke kopjuar me telefonë, kjo nuk po i ndalon nxënësit që ta bëjnë një gjë të tillë.

Kjo formë e kopjimit tanimë është bërë zakon viteve të fundit.