Vazhdon rinumërimi i votave në 494 vendvotime

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pasditen e djeshme ka filluar procesi i rinumërimit të 494 vendvotimeve, për të cilat mori vendim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Këto vendvotime u takojnë komunave të ndryshme, në mesin e tyre edhe Komuna e Suharekës.

Është bërë e ditur se nga 83 vendvotime sa ka gjithsej Komuna e Suharekës, 15 prej tyre janë në proces të rinumërimit.

Arsyet e rinumërimit të këtyre vendvotimeve u kategorizuan në katër grupe kryesore.

E para është se gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve 35 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak se gjatë auditimit është vërejtur se nuk janë bartur saktë votat e subjekteve politike në formularin e rezultateve.

E dyta arsye është përmendur se gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të kandidatëve 6 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak të problemeve teknike. Këta formularë janë plotësuar në mënyrë të paqartë dhe nuk mund të lexohen me saktësi.

Arsye e tretë thuhet se në formularët e rezultateve të kandidatëve, në 370 vendvotime, është vërejtur se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik dhe në raste të caktuara të gjithë kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik.

Ndërsa arsye e katërt u tha se në 83 vendvotime të tjera, gjatë krahasimit të votave të subjekteve politike me votat e kandidatëve, rezulton se te të gjitha këto raste subjekti nuk ka vota, ndërsa kandidati apo kandidatët kanë vota dhe anasjelltas.

RAPORTO