Vazhdon braktisja e foshnjeve në Kosovë, një i gjinisë mashkullore u braktis gjatë muajit nëntor

24.12.2022

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon Statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin nëntor 2022. Ky publikim ofron të dhëna edhe për numrin e fëmijëve të braktisur nga viti 2012 deri në vitin 2021, shkruan SuharekaOnline. Fëmijët e braktisur – Fëmijë i braktisur pa kujdes prindëror, konsiderohet çdo fëmijë i moshës nën 18 vjeç, i cili […]

Vazhdon braktisja e foshnjeve në Kosovë, një i gjinisë mashkullore u braktis gjatë muajit nëntor Foto: Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon Statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin nëntor 2022.

Ky publikim ofron të dhëna edhe për numrin e fëmijëve të braktisur nga viti 2012 deri në vitin 2021, shkruan SuharekaOnline.

Fëmijët e braktisur – Fëmijë i braktisur pa kujdes prindëror, konsiderohet çdo fëmijë i moshës nën 18 vjeç, i cili është i braktisur nga prindërit, të cilët për shkaqe dhe arsye të ndryshme nuk i kryejnë, apo nuk janë në gjendje ti kryejnë obligimet, përgjegjësitë dhe të drejtat prindërore.

Format e mbrojtjes për këtë kategori të fëmijëve janë: kujdestaria, bashkimi familjar, strehimi familjar, strehimi i përkohshëm institucional dhe adoptimi.

Duke u bazuar në të dhënat e ASK-së figuron se gjatë muajit nëntor të vitit 2022 në Komunën e Podujevës është braktisur një foshnje e gjinisë mashkullore.

Nga muaji janar i këtij viti deri më tani në Kosovë janë braktisur gjithsej 12 foshnje, 6 të gjinisë mashkullore dhe 6 të gjinisë femërore.

Në të dhënat e ASK-së figuron se në Komunën e Suharekës deri më tani duke përfshirë edhe muajin nëntor të këtij viti nuk është braktisur asnjë foshnje.

Rikujtojmë se pas një hulumtimi që ka bërë SuharekaOnline ka rezultuar se që nga viti 2012 deri më tani në Kosovë janë braktisur 573 foshnje.