Varianti i ri i COVID-19 në Kosovë, alarm për kujdes dhe respektim të masave

30.01.2021

Paraqitja e rasteve në Kosovë me variantin britanik të koronavirusit, duhet të jetë alarm për qytetarët për kujdes dhe respektim të masave kundër pandemisë, thonë infektologët Salih Ahmeti dhe Ilir Tolaj. Ata paralajmërojnë se në javët në vazhdim Kosova mund të regjistrojë rritje të rasteve të reja me koronavirus edhe për faktin se partitë politike […]

Varianti i ri i COVID-19 në Kosovë, alarm për kujdes dhe respektim të masave Foto: Ilustrim

Paraqitja e rasteve në Kosovë me variantin britanik të koronavirusit, duhet të jetë alarm për qytetarët për kujdes dhe respektim të masave kundër pandemisë, thonë infektologët Salih Ahmeti dhe Ilir Tolaj.

Ata paralajmërojnë se në javët në vazhdim Kosova mund të regjistrojë rritje të rasteve të reja me koronavirus edhe për faktin se partitë politike po zhvillojnë tubime elektorale, në të cilat, në shumtën e rasteve nuk po respektohen dy masat kryesore kundër pandemisë: mbajtja e maskës dhe distancës.

Varianti i ri, që fillimisht u identifikua në Mbretërinë e Bashkuar në shtator të vitit të kaluar, sipas ekspertëve, është më ngjitës se varianti fillestar i koronavirusit, që u shfaq për herë të parë në fund të 2019-ës në Vuhan të Kinës. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se ky variant tashmë është përhapur në mbi 70 vende të botës. Por, ky nuk është i vetmi variant i koronavirusit. Dy variante të reja janë zbuluar në Brazil dhe Afrikë të Jugut, po ashtu.

Infektologu në Klinikën Infektive në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës, Sali Ahmeti, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se me paraqitjen e rasteve me variantin e ri britanik, Kosova nuk duhet të relaksohet, por që qytetarët dhe institucionet duhet të rrisin vigjilencën.

“Variantin e ri e kemi në mesin tonë. Kjo nuk do të thotë se ka nevojë për ndonjë shqetësim të veçantë, pasi ky variant nuk ka ndryshime të mëdha në raport me variantin e mëparshëm. Në aspektin klinik, ky variant nuk dallon shumë nga varianti paraprak, por mundësia e përhapjes është më e madhe, natyrisht edhe prekja e moshës se re është më madhe. Por, ky është një alarm që ne nuk duhet të relaksohemi. Duhet të jemi sa më të kujdesshëm në respektimin e masave mbrojtëse kundër mundësisë së marrjes së infeksionit me koronavirus”, tha Ahmeti.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armedn Zemaj, të premten në një konferencë për media, ka thënë se nga 30 mostrat e dërguara për analizim në një laborator në Gjermani, tre nga to kanë rezultuar pozitive me variantin e ri britanik.

Tolaj: Tubimet e partive politike do rrisin rastet me koronavirus

Infektologu tjetër Ilir Tolaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata epidemiologjike, aktualisht është më e volitshme në Kosovë sesa në vendet tjera. Por, me vetë faktin se 10 për qind e mostrave kanë rezultuar pozitive me variantin e ri, në javët e ardhshme pritet të ketë rritje të rasteve. Rritjes së numrit të të infektuarve do t’i kontribuojnë tubimet e partive politike me numër të madh të qytetarëve në ambiente të mbyllura dhe të hapura, tha Tolaj.

“Prandaj, këto tubime së bashku me variantin e ri, që me siguri ka aftësinë e përhapjes më të madhe, mund ta nxjerrë situatën nga kontrolli dhe mund ta nxjerrë Kosovën nga kjo situatë e volitshme. Pra, situata mund të dalë nga binarët dhe atëherë masat e jashtëzakonshme të jenë të domosdoshme. Kurse në këtë situatë, e domosdoshme është ndalimi i organizimeve të partive politike në ambiente të mbyllura pa maska dhe pa distancë”, thekson ai./rel/