Vala e re nga COVID-19, Hoti paralajmëron shtrëngim të masave

Shumë vende të rajonit dhe të Evropës ditëve të fundit kanë shënuar rritje të rasteve me COVID-19 siç po quhet ndryshe edhe si vala e dytë.

Një rrezik të tillë e ka paralajmëruar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili gjithashtu ka thënë se krahas rritjes së numrit të rasteve duhet shtrënguar edhe masat.

“Rreziku nga një valë re e Covid-19 në Kosovë është shumë i madh.

Në dy javët e fundit, numri i të prekurve ka qenë në rënie, me rreth 30 raste aktive për çdo 100 mijë banorë. Por, parashikimet janë se ky numër shpejt mund të kalojë shifrën prej 50, dhe atëherë sipas protokolleve duhet shtrënguar masat, siç po ndodh në shumicën e vendeve të BE-së.

Brenda javës së fundit është shtuar me 30% numri i hospitalizimeve. Në anën tjetër, nxënësit që kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 si përqindje e numrit të nxënësve të testuar është i lartë, që është rrezik serioz i përhapjes së virusit.

Prandaj, të gjithë duhet të kemi mirëkuptim për shtrëngimin e masave në javët në vijim, që përfshijnë ndërprerje të tubimeve të mbyllura, kufizime të çdo aktiviteti ku mblidhen qytetarë, kontroll rigoroz i shkollave për përmbushje të masave për mbrojtjen nga covid-19 dhe masa të tjera.

Inspektoratet dhe institucionet e tjera mbështetëse, qëndrore dhe lokale, do të përgatisin planet e tyre të veprimit për të mbikëqyrë zbatimin e masave” ka thënë Hoti.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.