Universiteti i Prishtinës konfirmohet si universiteti më i mirë në gjuhën shqipe, Webometrics 2026

04.02.2026

Universiteti i Prishtinës (UP) ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm akademik, duke u rikonfirmuar si universiteti numër një në gjuhën shqipe në botë, sipas renditjes së parë globale për vitin 2026 të publikuar nga platforma prestigjioze ndërkombëtare „Webometrics”.

Në renditjen më të re, UP-ja është pozicionuar në vendin e 2403-të në nivel global, që përbën rezultatin më të lartë historik të universitetit në këtë platformë.

Ky progres i vazhdueshëm dëshmon përmirësimin e vazhdueshëm të performancës akademike dhe digjitale të institucionit. Për krahasim, në janar të vitit 2025 Universiteti i Prishtinës renditej në pozitën e 2543-të, ndërsa në fillim të vitit 2024 në vendin e 2605-të.

Platforma „Webometrics” vlerëson universitetet bazuar në disa indikatorë kyç, përfshirë dukshmërinë globale, prezencën dhe transparencën digjitale, përsosmërinë e kërkimit shkencor, performancën akademike dhe ndikimin e përgjithshëm në fushën e arsimit të lartë.

Në këtë renditje globale janë përfshirë mbi 30 mijë institucione të arsimit të lartë nga e gjithë bota, çka e bën këtë arritje edhe më domethënëse për Universitetin e Prishtinës dhe arsimin e lartë në Kosovë.

Ky sukses vlerësohet si dëshmi e angazhimit institucional për cilësi, kërkim shkencor dhe rritje të konkurrueshmërisë ndërkombëtare.