Universitetet e paakredituara kanë një vit afat të ngritin cilësinë

16.07.2019

Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë për Akreditim në Kosovë ka vendosur që të mos i akreditojë për vitin akademik 2019/2020 tri universitete publike. Universitetin publik ne Prizren, Pejë dhe Mitrovicë, Këshilli Shtetëror i Cilësisë për Akreditim ka vendosur që të mos i akreditojë për këtë vit akademik. Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka publikuar në […]

Universitetet e paakredituara kanë një vit afat të ngritin cilësinë Foto: Ilustrim

Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë për Akreditim në Kosovë ka vendosur që të mos i akreditojë për vitin akademik 2019/2020 tri universitete publike.

Universitetin publik ne Prizren, Pejë dhe Mitrovicë, Këshilli Shtetëror i Cilësisë për Akreditim ka vendosur që të mos i akreditojë për këtë vit akademik.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka publikuar në ueb faqen zyrtare listën vendimtare për akreditim dhe mosakreditim të programeve të studimit. Përveç tri universiteteve publike të cilat nuk janë akredituar, ky Këshill nuk ka akredituar edhe disa nga kolegjet private.

Këto lista sipas këtij organi nuk janë përfundimtare dhe mund të pësojnë ndryshime, varësisht nga rezultatet e procedurës së ankimimit që mund të zhvillohet në shkallën e dytë në Komisionin e Ankesave ndaj vendimeve të Këshilli Shtetëror i Cilësisë – KSHC.

Poashtu, KSHC sqaron se institucionet arsimore të cilat kanë marrë vendim negativ në vlerësimin institucional, mund të vazhdojnë punën e tyre me studentët aktual, mirëpo nuk mund të regjistrojnë studentë të rinj për vitin akademik 2019-2020.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa nga anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, por nuk ka arritur të marrë ndonjë informacion më shumë nga vendimi që është publikuar.

Lidhur me mosakreditimin e tri universiteteve publike ka pasur reagime nga drejtuesit e universiteteve, por edhe nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe organizatat studentore në Kosovë

Kryeministri Haradinaj e ka konsideruar të papranueshëm vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Në një konferencë për media të mbajtur të martën në Prishtinë, Haradinaj tha se nuk do të lejohet të punohet në këtë mënyrë.

Ai ka akuzuar anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë se kanë punuar në shërbim të universiteteve private, duke ua pamundësuar punën universiteteve publike. Pavarësisht se ky Këshill është një organ i pavarur, Haradinaj tha se ai nuk mund të qëndrojë anash në këtë rast.

“Ky është një lloj krimi, kur dikush ka arrogancë t’ju thotë të gjithë këtyre fëmijëve. Ndoshta kanë edhe dallavere me universitetet private dhe nuk kanë bërë aq shumë të regjistruar në universitete private dhe tani në emër të cilësisë i mbyllin këto universitete dhe shkoni tek universitetet private. Nuk mund t’i lësh fëmijët të pa regjistruar dhe kushdo që e ka bërë këtë është gabim. Nuk jemi krejt mercenarë në këtë vend.”, tha Haradinaj.

Sipas tij, familjet e varfra dhe mesatare nuk mund t’i shkollojnë fëmijët e tyre në Prishtinë, pasi që kostoja e shpenzimeve trefishohet.

Por, organizatat studentore në Kosovë, kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që të mos ndërhyjë në punët e Këshillit Shtetëror për Cilësi.

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) përmes një komunikate për media ka theksuar se veprimet a paralajmëruara të kryeministrit çfarëdo qofshin ato do të jenë të paligjshme dhe në kundërshtim me legjislacion aktual mbi arsimin e lartë.

“Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim rikujton se Këshilli Shtetëror i Cilësisë është zgjedhur nga Kuvendi i Republikës dhe se çfarëdo vendimi nga ana e kryeministrit Haradinaj do të kallëzohet penalisht nga ORCA si keqpërdorim i detyrës zyrtare. ORCA u bën thirrje organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë të reagojnë për ruajtjen e pavarësisë së agjencive të pavarura, ndërkohë u bën thirrje partive politike të përmbahen nga populizmi”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.

​Eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Radion Evropa e Lirë se mosakreditimi i këtyre universiteteve duhet të shërbejë si vërejtje në mënyrë që të punohet për ngritjen e cilësisë.

“Unë e shoh këtë si një vërejtje për institucionet që duhet të përmirësohen në ato pika që janë theksuar në raportin e ekspertëve të cilin unë nuk e kam parë ende. Mbetët që gjatë kësaj periudhe njëvjeçare këto institucione të punojnë drejt evitimit të mangësive që janë konstatuar dhe që kanë sjellë deri të mosakreditimi sepse brenda një viti duhet të bëhet, sipas ligjit, akreditimi tjetër dhe nëse edhe ai përfundon me vendim negativ, atëherë sipas ligjit, institucioni duhet të mbyllet”, thotë Pupovci.

Pupovci shton se këto universitete janë hapur në kohë të fushatave zgjedhore dhe qëllimi primar ka qenë përfitimi elektoral, përkatësisht që të sigurohen vota. Sipas tij, më pas qeveritë e njëpasnjëshme nuk janë kujdesur që t’i mbështesin këto institucione publike të arsimit për t’i arritur kriteret e cilësisë.

“Ka pasur keqpërdorime nga ana e strukturave politike në këto universitete me punësime, me emërime nëpër bordet e tyre dhe kjo që po ndodh sot është pasojë e mënyrës se si janë trajtuar këto universitete nga ana e pushteteve të deritanishme”, thotë Pupovci.

Ndërkohë, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi në një konferencë të mbajtur të hënën ka theksuar se pret nga Qeveria që të merr hapa lidhur me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Ministri Bytyqi ka thënë se para se të merrte këtë vendim, Këshilli i Shtetëror i Cilësisë, Agjencia për Akreditim e Kosovës do të duhej të sqaronte përbërjen e anëtarëve të këtij Këshilli edhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

“Ne kemi pasur një shkresë nga Agjencia Kundër Korrupsionit për disa çështje që janë ngritur në këtë shkresë dhe që ka pasur nevojë që Këshilli Shtetërorë i Cilësisë gjegjësisht Agjencia e Akreditimit t’i qartësojë sepse në rekomandimet e AAK-së thuhet se ka shkelje ligjore në përbërjen aktuale të Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe ne jemi drejtuar në mënyrë që këto çështje të qartësohen dhe të mos ketë vendimmarrje deri në zgjidhjen e këtyre problemeve”, theksoi Bytyqi.

Vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë e kanë konsideruar si të papranueshëm edhe universitetet të cilat nuk janë akredituar për vitin akademik 2019/2020.

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren përmes një komunikate për media ka theksuar se një vendim i tillë është i papranueshëm dhe se universiteti do të veprojë në përputhje me dispozitat e akteve ligjore dhe nënligjore.

“Do të kërkojmë që të rishqyrtohet vendimi i Këshilli Shtetëror të Cilësisë sa i përket universitetit “Ukshin Hoti” pasi që konsiderojmë se i plotësojmë kushtet për akreditim institucional, duke marrë për bazë edhe rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë”, thuhet në komunikatën për media të Universitetit “Ukshin Hoti”.

Një vendim të tillë të mosakreditimit e ka konsideruar të papranueshëm edhe Universiteti ”Haxhi Zeka” në Pejë.

Nga të dhënat e publikuara në ueb faqen zyrtare të Universitetit të Prizrenit, thuhet se në vitin 2018 numri i studentëve në këtë universitet ka qenë rreth 17 mijë.

Ndërsa në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boleteni”, sipas konkursit të vitit akademik 2017/2018 janë regjistruar rreth 900 studentë të rregullt.

Në ueb faqen e Universitetit të Pejës nuk ka të dhëna për numrin e studentëve.