Ulen rastet, nuk respektohen masat

08.10.2021

Shumë qytetarë në rrugët e Prishtinës shihen pa maska apo i mbajnë ato në mënyrë jo të duhur. Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në Kosovë. Përjashtim bëhet gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë anëtarët e ngushtë të familjes, gjatë vrapit, ngrënies apo pijes. Mosrespektimi i […]

Ulen rastet, nuk respektohen masat

Shumë qytetarë në rrugët e Prishtinës shihen pa maska apo i mbajnë ato në mënyrë jo të duhur.

Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në Kosovë.

Përjashtim bëhet gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë anëtarët e ngushtë të familjes, gjatë vrapit, ngrënies apo pijes.

Mosrespektimi i masave shihet me mjaft shqetësim nga epidemiologët, të cilët thonë se çdo mosrespektim do të rrisë numrin e rasteve.

Masat asat kundër COVID-19 në shtetet e Ballkanit Perëndimor

Edita Goranci-Haxhiu epidemiologe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), thotë se qytetarët duhet të vazhdojnë të respektojnë masat si, vendosjen e maskës, higjienën dhe distancën fizike.

“Rastet mund të rriten nëse nuk jemi të kujdesshëm. Këto masa kur popullata i respekton atëherë rastet bien, sikur tani, që kemi numër më të vogël. Asnjëherë nuk duhet të lirohemi dhe të mos i respektojmë masat”, thotë ajo.

Kosova, më 8 tetor, ka regjistruar 25 raste të reja me koronavirus, derisa vetëm një muaj më parë në ditë shënoheshin mbi 1 mijë raste.

Numri i rasteve aktive me koronavirus është 1.335.

Pa kontroll të certifikatës së vaksinimit apo testeve për COVID-19

Sipas masave të cilat janë në fuqi nga data 27 shtator, bizneset e gastronomisë janë të obliguara që të caktojnë një apo më shumë persona përgjegjës, që do të kontrollojnë posedimin e certifikatës së vaksinimit ose testet negative për COVID-19.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë, ka qëndruar në disa lokale të gastronomisë, por në shumë prej tyre nuk ka ndonjë person që kontrollon klientët për këto dëshmi.

Arian Vrainca nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, thotë se ka mungesë të punëtorëve për të vendosur kontroll strikt, por se ky sektor po mundohet të respektojë masat.

Vrainca kërkon lehtësim të masave për bizneset.

“Me rënien e rasteve duhet të bëhen disa ndryshime të masave, siç është heqja e kufizimit të lëvizjes së lirë, zgjatja e orarit të punës dhe rritja e kapaciteteve brenda hapësirave të lokaleve, pasi që po kërkohet edhe dëshmia për vaksinim apo testet për COVID-19”, thotë ai.

Certifikata e vaksinimit ose testet negative për COVID-19, kërkohen edhe në qendrat tregtare. Maskat edhe në qendrat tregtare janë obligative, por edhe këtu nuk shihet se respektohet kjo masë.

Qytetarë pa maska në një qendër tregtare në Prishtinë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, është organi kompetent për monitorimin e zbatimit të masave në sektorin e gastronomisë.

Lamir Thaçi, zëdhënës në këtë agjenci, thotë për REL se janë duke monitoruar zbatimin e masave.

“Është mirë që qytetarët dhe bizneset kanë zbatuar masat dhe kjo ka çuar deri te rënia e numrit të rasteve. Ne si autoritet jemi duke vazhduar inspektimet. Me datën 7 tetor, janë bërë 413 inspektime, aty janë shqiptuar 14 gjoba për persona fizikë dhe 13 gjoba për persona juridikë”, thotë Thaçi.

Transporti publik, i cili çdo herë ka bërë një respektim strikt të masave, me rënien e numrit të rasteve edhe aty shihet se nuk ka respektim në nivelin e duhur.

Aty ndalohet hyrja pa maskë dhe lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50 për qind të kapacitetit të ulëseve.

Një autobus i trafikut urban duke u ngarkuar me udhëtarë.

Në mesin e organeve kompetente për shqiptimin e masave ndëshkimore është edhe Policia e Kosovës. Zyrtarët policorë, të cilët janë parë gjithandej në kohën kur numri i rasteve ishte i lartë, tani nuk shihen duke inspektuar shumë.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ata thonë se aktivitetet dhe patrullimet policore janë duke vazhduar.

“Vetëm në 24 orëshin e fundit (08.10) janë shqiptuar 430 gjoba apo kundërvajtje bazuar në ligj, për shkelësit e Ligjit anti-COVID-19”, thuhet në përgjigjjen e Policisë.

Për moszbatimin e masave, personi juridik që organizon aktivitete të ndaluara, dënohet me gjobë prej 500 deri në 2000 mijë euro.

Kërkohet lirim i masave

Masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë së COVID-19 në Kosovë, mund të jenë në fuqi edhe për dy javët e ardhshme, siç ka njoftuar Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), pas një takimi me ushtruesen e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.

Masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19, sipas AKK-së do të mbesin në fuqi, sidomos tani që ka nisur shkolla dhe fushata për zgjedhjet lokale më 17 tetor.

Kryetarët e komunave kanë kërkuar që të shikohet mundësia e heqjes së kufizimit të lëvizjes, që nis nga ora 22:00 deri në ora 05:00.

Ministria e Shëndetësisë, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me atë se a do të ketë lehtësim të masave dhe a do të shqyrtohen kërkesat e bizneseve.

Me rënien e numrit të rasteve me koronavirus, ka shënuar rënie edhe interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar. Nëse në ditët kur numri i rasteve me koronavrius ishte i lartë dhe deri në 20 mijë qytetarë vaksinoheshin, të premten më 8 tetor, numri i vaksinave të administruara ka qenë 12.005./REL/

Etiketat