“Ujku i Çeliktë”, FSK-ja kryen manovra ushtarake
Forca e Sigurisë së Kosovës, ka nisur demonistrimin dhe manovrat ushtarake të në kuadër të ushtrimit fushor “Ujku i Çeliktë” në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës në Gjakovë.
Ushtrimi fushor është përcjellur nga afër nga udhëheqës të FSK-së, përfshirë komandanten supreme dhe presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se gjatë ushtrimit, ushtarët e Kosovës treguan shkathtësi dhe guxim për të tejkaluar çdo kërcënim.
“E konfirmuat edhe një herë se ushtrinë tonë e kemi ndërtuar dhe jemi duke e zhvilluar me aftësi dhe me kapacitete profesionale sipas standardeve më të larta të NATO, dhe konfirmuat se jeni të gatshëm të merrni pjesë efektivisht edhe në operacione shumëkombëshe të përbashkëta ushtarake, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal”, ka theksuar ajo.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ushtrimi është më shumë se testim i kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
“Paraqet tregues të qartë të përgatitjes, guximit dhe profesionalizimit të ushtrisë sonë. E veçanta e këtij ushtrimi është se pikërisht këtu bëhet validimi i regjimentit të dytë të këmbësorisë së FSK-së, duke konfirmuar zhvillimin dhe forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë sonë drejtë standardeve më të larta ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.