U.D. i ministrit të Brendshëm: Qytetarët i kanë mirëpritur këto masa dhe Policia është duke i zbatuar

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë pas vendosjes së masave të reja nga qeveria.

Sveçla në RTV Dukagjini thotë se gjatë ditës së parë të implementimit të masave të reja nuk ka pasur ndonjë problem të theksuar.

“Në përgjithësi qytetarët i kanë mirëpritur këto masa dhe Policia e Kosovës është duke i zbatuar ato”, tha ai.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm thotë se këto masa do të mbesin në fuqi deri më 4 maj, por shton se në vazhdimësi do të bëhet rivlerësimi i situatës.

“Ne jemi të vetëdijshëm se këto masa nuk janë të lehta, por kemi kapacitete të limituara të objekteve të shëndetësisë dhe kjo mbetet e vetmja mënyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës”.

Sveçla thotë se kur ka ardhur kjo qeveri depot e materialeve shëndetësore i kanë gjetur të zbrazura.

“Shumë shtete sot kanë marrë vendime që të mos lejojnë eksportimin e materialeve mjekësore siç janë edhe maskat”.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm thotë se tashmë policët e Kosovës vazhdojnë punën për 12 orë dhe pos pagesave shtesë prej 300 eurove në muaj do të marrin edhe kompensime për shujtat dhe pagesën e rrezikut.

RAPORTO