Turiste të huaja humbin në Brezovicë, operacioni 10-orësh i shpëtimit përfundon me sukses
Një operacion i gjatë dhe sfidues kërkim-shpëtimi u kurorëzua me sukses në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, pasi dy turiste të huaja, N.S dhe K.M, të cilat kishin humbur rrugën dhe po përballeshin me kushte ekstreme në shtegun ndërkufitar High Scardus Trail, pranë liqenit të Livadhit në Brezovicë, u gjetën të sigurta.
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) mori një thirrje emergjente rreth orës 17:35 përmes pajisjes satelitore Garmin inReach, pasi njëra nga turistet kishte pësuar lëndim në këmbë, ndërsa moti i keq e bënte të pamundur vazhdimin e rrugëtimit. Për shkak të mungesës së rrjetit celular në zonë, ndihma u kërkua përmes satelitit, duke përfshirë edhe koordinatat e vendndodhjes.
Një skuadër e ShKShMK u nis menjëherë drejt zonës së raportuar dhe arriti shpejt në vendin e parë. Megjithatë, turistet nuk u gjetën aty, pasi kishin lëvizur drejt luginës në Gotovushë, në një përpjekje për t’iu shmangur stuhisë dhe për të gjetur strehim, pavarësisht paralajmërimeve për të mos lëvizur.
Përmes komunikimit të avancuar, u sigurua vendndodhja e re e tyre dhe operacioni vazhdoi në kushte atmosferike shumë të vështira, në një lartësi mbi 2400 metra mbi nivelin e detit.
Fatmirësisht, të dyja turistet u gjetën në gjendje të vetëdijshme. Njëra prej tyre kishte lëndim në gjurin e majtë, ndërsa të dyja shfaqnin shenja të hipotermisë së lehtë. Pas dhënies së ndihmës së parë, nisi evakuimi i tyre përmes shtigjeve alternative, për shkak të terrenit të vështirë ku ato kishin devijuar.
I gjithë operacioni zgjati 10 orë e 30 minuta dhe u përmbyll me sukses falë bashkëpunimit dhe përkushtimit të lartë të ShKShMK-së, Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), zjarrfikësve të Komunës së Shtërpcës dhe banorëve vullnetarë nga Shtërpca.
ShKShMK ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë pjesëmarrësit, duke vlerësuar vullnetin, humanizmin dhe profesionalizmin e tyre si çelësin e suksesit të këtij misioni shpëtimi në kushte jashtëzakonisht sfiduese.