Tubimet politike në vend, IKSHPK apelon për respektim të masave kundër COVID-19

11.01.2021

Ditët e fundit shumë nga liderët politikë kanë nisur parafushatën për zgjedhjet që do të mbahen më 14 shkurt, e ku në pothuasje të gjitha tubimet nuk u respektuan rekomandimet e IKSHPK-së. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. IKSHPK […]

Tubimet politike në vend, IKSHPK apelon për respektim të masave kundër COVID-19 Foto: Ilustrim

Ditët e fundit shumë nga liderët politikë kanë nisur parafushatën për zgjedhjet që do të mbahen më 14 shkurt, e ku në pothuasje të gjitha tubimet nuk u respektuan rekomandimet e IKSHPK-së.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

“Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike. Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë”.

“Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës” thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.