Trupi gjykues miraton tërheqjen e Kehoes si mbrojtës kryesor i Thaçit

15.02.2024

Trupi gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, ka miratuar tërheqjen e Gregory Kehoe si mbrojtës kryesor i Hashim Thaçit.

Trupi gjykues miraton tërheqjen e Kehoes si mbrojtës kryesor i Thaçit Foto: Ilustrim

Në njoftimin e Gjykatës Speciale të Hagës thuhet se vendimi është marrë të mërkurën e 14 shkurtit 2024.

Sipas njoftimit, ky vendim hyn në fuqi kur Administratorja cakton bashkëmbrojtësin e ri.

“Duke marrë parasysh se Thaçi dhe Lluka Mishetiq (aktualisht njëri nga bashkëmbrojtësit e Thaçit) u pajtuan që Mishetiqi të zëvendësojë Kehoen, Trupi Gjykues ftoi palët dhe Administratoren që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të caktuar Mishetiqin si kryembrojtës të Thaçit sa më shpejtë që të jetë e realizueshme”, thuhet në komunikatën për media.

Trupi Gjykues ka miratuar gjithashtu tërheqjen e bashkëmbrojtësit të Thaçit, Xhoe Rider, ndërsa ka udhëzuar Administratoren që të marrë vendim në lidhje me kërkesën për tërheqjen e tre ndihmësve juridikë dhe pesë ndihmësve administrativë të ekipit.

“Së fundi, Trupi Gjykues shqyrtoi kërkesën e Kehoen për pagimin e shpenzimeve nga DHSK-ja gjatë periudhës kalimtare, d.m.th. pas caktimit të mbrojtësit të ri. Trupi Gjykues vuri në dukje se Administratorja mund të vendos të udhëzojë Kehoen që të vazhdojë të veprojë ose të ndihmojë mbrojtësin zëvendësues (për një periudhë prej 45 ditësh), por duke marrë parasysh se mbrojtësi i ri nuk është caktuar ende dhe Administratorja nuk ka lëshuar këto udhëzime për Kehoen, Trupi Gjykues konstatoi se kërkesa është e parakohshme në këtë fazë dhe rrjedhimisht e hodhi poshtë”, bëhet e ditur mes tjerash.