Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës e Nisma Socialdemokrate kanë parashtruar ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Mul Desku, kryesuesi i PZAP-së ka konfirmuar për Insajderi se këto tri parti po kërkojnë rinumërim të votave për shkak se sipas tyre ekziston mundësia për parregullsi.

“Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe Nisma kanë kërkuar rinumërim gjoja se ka pasur parregullsi, apo kanë qenë formularët jo të shtypur mirë dhe sipas tyre ka gjasa që nuk janë shtypur të dhënat mirë”, ka thënë Desku.

Në web faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri tani janë procesuar 98,47% e votave ku kanë mbetur më pak se 2 përqind, për të përfunduar numërimi. Bazuar në këto të dhëna deri tani Vetëvendosje ka dalë e para, pasur nga Lidhja Demokratike e Kosovës teksa e treta Partia Demokratike e Kosovës, në vendin e katër ka dalë koalicioni AAK-PSD e më pas subjektet tjera.Rezultatet Preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta./Insajderi.com