Tri “autoburgje” të prodhuara nga “Timak” donacion i Ambasadës së ShBA për Shërbimin Korrektues

19.06.2024

Kompania “Timak” në Shqipëri kohë më parë ka publikuar një video të një “autoburgu” që thonë se është për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Nga ky institucion kanë thënë se tri autoburgje të prodhuara nga kjo kompani janë donacion i INL të Ambasadës amerikane.

Tri “autoburgje” të prodhuara nga “Timak” donacion i Ambasadës së ShBA për Shërbimin Korrektues Foto: Ilustrim

Disa ditë më parë, kompania “Timak” në Shqipëri ka publikuar një video të një autoburgu”, pë të cilin thanë se është për Shërbimin Korrektues të Kosovës.

“Autoburgjet për Shërbimin Korrektues të Kosovës janë gati”, është shkruar sipër videos.

Ndërkaq një nga punëtorët e kompanisë ka treguar detajet e këtij “autoburgu”.

“Projekti i autoburgjeve të Kosovës sapo përfundoi. Kemi bërë të mundur shtrimin e dyshemesë, veshjen dhe izolimin anësor, kemi bërë sistemin elektrik, vendosjen e disa spoteve këtu, kemi vendosur ventilatorin, sobën ngrohëse, sediljet që s’mund të mungonin, mos të harrojmë kemi vendosur edhe fenelinat”, tha ai.

Gazeta Express ka pyetur Shërbimin Korrektues për këto autoburgje dhe zëdhënësi i këtij institucioni, Florent Gashi, ka thënë se janë donacion i Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) të Ambasadës amerikane.

Gashi ka thënë se bëhet fjalë për tri autoburgje, ndërsa ka shtuar se SHKK nuk ka porositur asnjë automjet.

“Lidhur me pyetjet tuaja në lidhje me postimin në fjalë, ju njoftojmë se Autoburgjet e publikuara janë donacion i INL-it të Ambasadës Amerikane për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Ndërsa, SHKK nuk ka porositur asnjë automjet.”

Para disa ditësh, kjo kompani ka prezantuar prototipin e makinës së parë të blinduar ushtarake të prodhuar në Shqipëri që është pagëzuar “Shota”. Kjo makinë për herë të parë është prezantuar në panairin më të madh të sigurisë dhe teknologjisë EUROSTATORY në Paris.

Një fotografi afër “Shotës” në Panair e ka bërë edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.