Tre skenarë për fillimin e vitit të ri shkollor

11.08.2020

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Pastaj, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distancë.  Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, më 1 […]

Tre skenarë për fillimin e vitit të ri shkollor Foto: Ilustrim

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Pastaj, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distancë. 

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, më 1 shtator, kurse zbatimi i udhëzimeve varet nga drejtoritë komunale të arsimit.

Skenari A parasheh mësim me prezencë në institucionet parashkollore dhe shkolla, duke zbatuar rekomandimet e autoriteteve shëndetësore për masat mbrojtëse ndaj COVID-19. Masat mbrojtëse janë mbajtja e maskave, respektimi distancës dhe mbajtja e higjienës personale, shkruan REL.

Skenari B ka të bëjë me rikthimin e pjesshëm (mësimi i kombinuar – prezencë dhe mësim në distancë). Në këtë alternativë, prioritet janë klasat 1 deri 5, ku parashihet që numri maksimal në klasë të jetë 10 nxënës, orari i shkurtuar dhe mësim plotësues online.

Kurse skenari C parasheh mësimi nga distanca nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik.

Se si do të fillojë viti i ri shkollor kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot nga ora 11:30, do të ketë një takim virtual me kryetarët e komunave, ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj dhe ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, ku do të diskutohet për rishikimin e masave anti-COVID.